Ish-kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, u takua këtë të mërkurë me pasardhësin e tij, Elis Halili, në zyrën e Bashkisë, ku i shprehu urimet për marrjen e postit nga pasardhësi. Në një postim në Facebook, Dredha theksoi besimin e tij të plotë në aftësitë e Halilit dhe ekipit të tij për të udhëhequr qytetin.
“Me besimin dhe shpresën se do të bëjë më të mirën për qytetin, i uroj Elisit dhe gjithë grupit të tij punë të mbarë për ruajtjen dhe zhvillimin e Vlorës së mrekullueshme!”, shkroi Dredha bashkë me fotot e tij me kryebashkiakun e ri të Vlorës.
Elis Halili mori detyrën e kryetarit të komanduar të Bashkisë së Vlorës pas dorëheqjes së Dredhës. Ai është një inxhinier me eksperiencë në projekte lokale dhe ka shërbyer më parë si nënkryetar i Bashkisë së Vlorës.
Kujtojmë që Dredha dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të bashkisë më 10 shtator të këtij viti. Dy javë më parë, ai u shpreh për mediat: “Kam menduar për këtë vendim që prej kohësh. Dashuria për Vlorën është e pashuar. Jam djalë i Vlorës dhe do të vazhdoj të kontribuoj për të. Jam i bindur që ekipi që do të formohet do të jetë shumë i fortë dhe do të udhëheqë qytetin përpara. Do ta mbështes ekipin sa të mundem. Kam lindur socialist dhe kështu do të mbetem gjithmonë”.
