Në studion e emisionit “Koha për t’u zgjuar” në News24, avokati Alban Duraj ka folur mbi situatën aktuale të tregut të qirave në kryeqytet, duke theksuar mungesën e kulturës kontraktuale tek qytetarët shqiptarë dhe pasojat që kjo sjell si për qiradhënësit ashtu edhe për qiramarrësit.

Sipas avokatit Duraj, “shqiptarët nuk e kanë traditë të bëjnë kontrata, aq më tepër kontrata qiraje”. Ai shtoi se shumë qiradhënës përpiqen të shmangin pagesën e detyrimit tatimor prej 15% të vlerës së kontratës, një taksë që, sipas ligjit, paguhet nga qiradhënësi, por që shpesh përfundon duke iu ngarkuar qiramarrësit përmes rritjes së çmimit të qirasë.

“Është një pagesë që shteti e ka vendosur, 15% tatim mbi qiranë. Çmimi paguhet nga qiradhënësi, por kur vjen puna te çmimi, ai i ngarkohet qiramarrësit, çka përkthehet në rritje të qirasë,” u shpreh ai.

Duraj vuri në dukje se çmimet e qirave në Tiranë janë rritur ndjeshëm kohët e fundit, për shkak të kërkesës së lartë dhe dendësisë së madhe të popullsisë krahasuar me qytetet e tjera të vendit. “Ndodh që qiratë janë shumë të larta dhe, në raport me të ardhurat e një familjeje apo individi, bëhen të papërballueshme për të mbuluar kostot e jetesës,” tha ai.

Avokati apeloi që palët të formalizojnë marrëveshjet verbale përmes kontratave të rregullta, të cilat jo vetëm sigurojnë mbrojtje ligjore, por edhe garantojnë transparencë në marrëdhënie. “Një kontratë siguron pronën që jepet me qira në rast se ajo përdoret për aktivitet kriminal; në këtë rast pronari shkarkohet nga përgjegjësia automatikisht,” theksoi Duraj.

Ai shtoi gjithashtu se shumë qiradhënës shmangin kontratat për të pasur mundësi të rrisin çmimet në mënyrë të përsëritur, ndërsa një kontratë fikse do të siguronte stabilitet për të dyja palët. “Kontrata është diçka që garanton sigurinë, por ata nuk duan sepse presin të bëjnë rritje çmimi sërish,” shtoi ai.

Në fund, avokati Duraj theksoi se marrëdhënia mes qiradhënësit dhe qiramarrësit duhet parë si partneritet, jo si një mënyrë përfitimi të njëanshëm. “Kjo marrëdhënie duhet të shihet si partneritet, jo si zhvatje apo grabitje e qiramarrësve,” përfundoi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb