Artroza e gjurit është një sëmundje mjaft e shpeshtë degjenerative që prek kryesisht të moshuarit. Në të shumtën e rasteve shfaqet pa ndonjë shkak, me një incidencë më të lartë tek femrat. Ankesat kryesore të pacientit janë dhimbja e gjurit, çalimi, kërcitja, bllokimi në ecje dhe ndonjëherë edhe enjtja. Tahir Çela, kirurg ortoped në Spitalin Universitar të Traumës, flet për “shëndeti” mbi artrozën e gjurit, duke u ndalur në mënyrë të veçantë tek trajtimi, i cili mund të jetë konservativ ose kirurgjikal.

Në rastin e parë kemi të bëjmë me një ”përpjekje” për të kufizuar dhimbjen dhe ruajtjen e kërcit nga dëmtimi i mëtejshëm. Ndërkohë që në rastin e dytë kjo ”përpjekje” konsiston në zëvendësimin e pjesës së dëmtuar me protezë, e cila për pacientin do të thotë ”rifitim” i jetës normale.

Çfarë është artroza e gjurit?
Artroza e gjurit (gonartroza) është një sëmundje mjaft e shpeshtë degjenerative që prek artikulacionin e gjurit. Bëhet fjalë për një konsumim të sipërfaqes artikulare të kockave që përbëjnë artikulacionin e gjurit, patela, tibia dhe femuri. Në fundet e tyre, aty ku ata bashkohen për të formuar këtë nyje të rëndësishme, që është artikulacioni i gjurit, sipërfaqja e kockave është e veshur me një ind që quhet kërc. Kërci është i ndërtuar në një mënyrë të atillë që të jetë sa më i lëmuar që të jetë e mundur, për të minimizuar forcat e fërkimit gjatë lëvizjes.

Mirëpo e veçanta e këtij indi kërcor është se fatkeqësisht nuk ka enë gjaku, pra nuk ka arterie për ta furnizuar atë me lëndë ushqyese, duke bërë që këto lëndë t’i marrë vetëm nëpërmjet lëngut sinovial. Mungesa e enëve të gjakut e bën kërcin shumë të brishtë, duke shtuar këtu edhe aktivitetet, peshën, goditjet që merr gjatë gjithë jetës, ai fillon dhe konsumohet.

Në momentin që kërci dëmtohet, gërvishtet ose çahet, ka shumë pak aftësi rigjeneruese. Rigjenerimi në këtë rast do t’i vinte nga furnizimi i enëve të gjakut, por duke qenë se ata mungojnë, ky dëmtim sa vjen dhe thellohet duke shkaktuar dhimbje tek pacienti.

Cili është shkaku i artrozës?
Në pjesën më të madhe të rasteve që ne hasim çdo ditë, nuk është se gjejmë ndonjë shkak për artrozën e gjurit, dhe kjo quhet artrozë parësore. Por nëse kërkojmë me kujdes në historinë jetësore të pacientit, tek një pjesë shumë e vogël mund të zbulojmë edhe ndonjë shkak. Një shkak, për shembull, mund të jetë një traumë që ka kaluar pacienti më parë. Kjo traumë mund të jetë një frakturë e kockës, dëmtim i menisqeve kur pacienti ka qenë më i ri, ose dëmtim i ligamenteve të gjurit si pasojë e një traume.

Shkak tjetër mund të jenë edhe sëmundje që në fund të procesit të vet prodhojnë artrozën. Një nga këto sëmundje është artriti reumatoid (sëmundje inflamatore që prek artikulacionet tek njëriu) i cili në fund të procesit të vet shkakton degjenerimin e kërcit duke prodhuar atë që ne e quajmë pastaj artrozë e gjurit.

Sa shpesh haset artroza?
Incidenca e artrozës ka një lidhje të ngushtë me moshën e personit. Një studim i bërë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës tregon se rreth 85% e popullsisë së moshës 75 vjeç e lart vuajnë nga artroza. Shifër shumë e lartë kjo që tregon se me rritjen e moshës rritet edhe incidenca për të bërë artrozë. Ndërsa sa i përket artrozës së gjurit, meqenëse dhe fokusi ynë është këtu, një studim i bërë në Karolinën e Veriut, ka treguar që rreziku i njerëzve për të bërë artrozë të gjurit me dhimbje gjatë jetës së tyre është 44.7%.

Përsa i përket incidencës meshkuj-femra, një tjetër studim i kryer në Evropë për artrozën e gjurit ka treguar se mes moshës 45-49 vjeç femrat ishin prekur me 13%, ndërsa meshkujt vetëm me 8%. Lidhur me koston në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vitin 2004, kostoja spitalore e protezave të gjurit u përllogarit rreth 14.3 miliardë dollarë.

Cilat janë ankesat kryesore të pacientëve që vuajnë nga artroza e gjurit?
Ankesa kryesore e pacientëve që vuajnë nga artroza e gjurit është dhimbja. Përdallim nga sëmundjet e tjera, karakteristike për artrozën është se kjo dhimbje lidhet në mënyrë ekskluzive me aktivitetin. Këta pacientë e ndiejnë dhimbjen në momentin që fillojnë dhe lëvizin, sidomos në mëngjes kur çohen nga shtrati dhe gjatë ditës. Në momentin që qendrojne në qetësi, ulur ose natën, shumica prej tyre nuk ndiejnë asnjë lloj shqetësimi. Një ankesë tjetër është çalimi.

Një nga arsyet që çalojnë është se duan të mbrohen nga dhimbja dhe kjo ndryshe në mjekësi quhet ecje antalgjike. Ndonjëherë këta pacientë ankohen edhe për kërcitje tëgjurit dhe bllokim në ecje. Në raste jo shumë të shpeshta shofim edhe enjte të gjurit e cila vjen sipasojë e shtimit të lëngut sinovial.

Si bëhet trajtimi i artrozës së gjurit?
Para se të kalojmë tek trajtimi, duhet të kuptojmë diçka, sepse kemi dy koncepte: trajtim dhe kurim. Trajtim do të thotë kur trajtojmë sëmundjen dhe kurim kur përpiqemi të zhdukim ekzistencën e saj. Fatkeqësisht studimet që janë bërë për artrozën e gjurit, nuk kanë zbuluar ndonjë medikament që merret nga goja ose injektohet direkt në artikulacion dhe ta shërojë atë. Prandaj kur flasim për artrozën, nuk mund të pretendojmë që ta kurojmë, sepse kurim në këtë rast do të thoshte që kërcin e dëmtuar, gërvishtur, plasaritur, holluar ta kthenim në gjendjen e mëparshme.

Kështu që trajtimi që ne i përshkruajmë pacientëve me medikamente, është i drejtuar drejt heqjes së dhimbjes dhe zakonisht e fillojmë me dhënien e paracetamolit, një medikament i thjeshtë, por që në artrozën e gjurit vepron shumë mirë si linjë e parë trajtimi ose me antiinflamatorët josteroid, një grup tjetër medikamentesh për dhimbje. Përveç kësaj, mjekimit të pacientit për dhimbje përpiqemi t’i shtojmë edhe një grup tjetër preparatesh që quhen viskosuplemente (për shembull, Artilane), të cilët në vetvete janë lëndë ushqyese të kërcit. Rezultati që marrim nga këto, është lehtësimi i dhimbjes dhe ruajtja e kërcit nga dëmtimi i mëtejshëm. Tek trajtimi konservativ hyn edhe fizioterapia.

Një nga gjërat që ndodh tek pacientët që vuajnë nga artroza e gjurit është atrofia muskulare (hollimi, dobësimi i muskujve) përreth gjurit, kofshës dhe kërcirit. Duke qenë se pacienti nuk e përdor gjymtyrën siç duhet për shkak të dhimbjes, këta muskuj rrjedhimisht fillojnë e dobësohen. Kjo bën të nevojshme fizioterapinë, synimi i së cilës në këtë rast është të kthejë në gjendjen fillestare muskujt që janë holluar, atrofizuar. Një mënyrë tjetër konservative është edhe mbajtja e një bastuni ose paterice.

Kur është i nevojshëm trajtimi kirurgjikal?
Trajtimin kirurgjikal ne e konsiderojmë si zgjidhjen e fundit për pacientët që vuajnë nga artroza e gjurit. Kur kemi provuar të gjitha mënyrat nëpërmjet trajtimit konservativ, por edhe pas gjithë këtyre përpjekje pacienti vazhdon të ketë dhimbje, atëherë marrim në konsideratë trajtimin kirurgjikal. Baza e trajtimit kirugjikal është zëvendësim i pjesës së dëmtuar, si nga pjesa e sipërme (femurit, kofshës) dhe nga pjesa e poshtme që i takon tibies (kërciri) me protezë.

Synimi i trajtimit kirurgjikal është që të heqim sipërfaqet e kërcit të dëmtuar që prodhojnë dhimbje dhe t’i zëvendësojmë ato me protezë totale (endoprotezë). Zakonisht është një ndërhyrje që ne preferojmë ta bëjmë mbas moshës 60 vjeç, sepse supozohet që tek shumica e njerëzve mbas kësaj moshe dhe aktiviteti është më i kufizuar, por në shumë raste zëvendësimi total i gjurit me protezë bëhet edhe në mosha më të reja, në varësi të shkallës së sëmundjes.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: