Prej fillimit të këtij viti, rruga rurale që lidh fshatin Kryezjarr me qendrën e fshatit Tudan, në Njësinë Administrative Tregan të Bashkisë Elbasan, vijon të jetë e bllokuar, duke e bërë të pamundur qarkullimin e automjeteve.
Dhjetëra familje janë izoluar, ndërsa situata paraqitet e vështirë dhe pa një zgjidhje të shpejtë në horizont.
Shkak për bllokimin është bërë rrëshqitja masive e dheut nga shpatet mbi rrugë, e ndodhur në datat 7-8 janar të këtij viti e cila ka dëmtuar rëndë aksin. Menjëherë pas shkatërrimit të këtij segmenti rural, Agjencia e Shërbimeve Publike Rurale e Bashkisë Elbasan ndërhyri me mjete të rënda, duke punuar për rreth 10 ditë rresht për hapjen e rrugës.
Por, për shkak të paqëndrueshmërisë së terrenit, punimet u ndërprenë më 21 janar, pas inspektimit nga specialistët e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar.
Edhe përpjekjet e mëvonshme për ndërhyrje nuk kanë dhënë rezultat. Në datat 10 dhe 11 mars, gjatë një tjetër aksioni për pastrimin e dheut, situata u përkeqësua papritur, kur një eskavator u bllokua nga rrëshqitja e menjëhershme e shpatit, duke rrezikuar seriozisht jetën e manovratorit. U desh ndërhyrja e një mjeti tjetër për të nxjerrë eskavatorin nga dherat, çka dëshmon nivelin e lartë të rrezikut në zonë.
Sipas konkluzioneve të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, ndërhyrja në këtë segment është e pamundur pa u stabilizuar më parë rrëshqitja. Ekspertët rekomandojnë pastrimin e materialeve inerte vetëm pas stabilizimit të terrenit, si dhe ndërtimin e një muri mbajtës për të siguruar skarpatën e sipërme dhe për të parandaluar rrëshqitje të tjera.
