Një luftë në Lindjen e Mesme mund të shkaktojë krizën më të keqe industriale në histori, paralajmëroi sot kreu i Dhomës Botërore të Tregtisë përpara Konferencës Ministrore të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) në Kamerun.
“Është e pamundur të flasësh për të ardhmen e sistemit tregtar pa njohur shkallën e tronditjes që aktualisht po prek ekonominë reale”, tha Sekretari i Përgjithshëm i Dhomës Botërore të Tregtisë, John Denton, në një panel së bashku me Drejtoreshën e Përgjithshme të OBT-së, Ngozi Okonjo-Iweala.
Pasojat e luftës në Lindjen e Mesme tashmë po ndikojnë në shumë sektorë, shumë përtej Lindjes së Mesme, tha ai.
“Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë ka paralajmëruar se bota po përballet me një krizë energjitike më të keqe se tronditjet e naftës të viteve 1970”, tha Denton.
“Nga një perspektivë biznesi, ne besojmë se kjo mund të bëhet kriza më e keqe e industrisë në histori jo vetëm për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë, por sepse vetë prodhimi industrial është i ndërprerë dhe i çorganizuar për shkak të mungesës së gazit dhe mallrave të tjera”, paralajmëroi Denton.
Ai shtoi se situata është tashmë alarmante: “kompanitë e mëdha po ulin prodhimin, mungesat po ndikojnë në energji, kimikate dhe zinxhirë të tjerë kritikë të furnizimit”, tha Denton.
Konferenca e 14-të ministrore tre-ditore e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe takimi i përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe Kamerunit do të fillojnë nesër në Kamerun.
