Kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Aleksandër Kovaçi, ka reaguar ndaj dhunës së një dite më parë gjatë protestës studentore dhe masave ndëshkuese të paralajmëruara nga kryeministri Edi Rama, duke deklaruar se zhvillimet e fundit tregojnë se Shqipëria po përballet me një situatë diktatoriale.
Në një prononcim për gazetaren e News24 Xhensila Kodra, Kovaçi i cilësoi kërcënimet e kryeministrit si të kota, ndërsa theksoi se universitetet janë institucione të pavarura dhe se pedagogët do të vijojnë të qëndrojnë në mbështetje të studentëve.
“Dhuna e djeshme dhe kërcënimet e Ramës tregojnë se jemi në diktaturë. Janë kërcënime të kota. Universiteti është i pavarur, ne si pedagogë jemi me studentët”, u shpreh Kovaçi.
Ai konfirmoi se pedagogët do të vazhdojnë bojkotin e mësimdhënies, duke shprehur njëkohësisht shpresën se kriza aktuale do të marrë një zgjidhje politike.
“Do të vijojmë me bojkotin, por shpresojmë për një zgjidhje politike”, deklaroi kreu i Sindikatës së Pedagogëve.
Duke komentuar mundësinë e dialogut me qeverinë, Kovaçi theksoi se nuk është kundër bisedimeve, por sipas tij, ato duhet të përqendrohen te largimi i Edi Ramës dhe përcaktimi i kushteve për krijimin e një qeverie tranzitore.
“Nuk jam kundër dialogut, por dialogu duhet të flasë vetëm se si do të largohet Rama dhe për kushtet e një qeverie tranzitore”, u shpreh ai.
Ndërkohë, paketa e re ligjore e prezantuar nga Rama, e cila parashikon gjoba të larta dhe masa të tjera për pjesëmarrësit në protesta të dhunshme, ka nxitur reagime nga studentët, pedagogët dhe përfaqësues të opozitës.
