Afrim Qendro ka shkarkuar nga detyra Klesti Çelën dhe Ervin Bixhën. Ky i fundit mbante pozicionin e këshilltarit pranë kryeinspektorit të IKMT-së.

Vëllai i Elgert Bixhës ishte i përfshirë në dosjen “Agasi”.

Sipas gazetares së News24, Klodiana Lala, Meta është sulmuar nga Klesti Çela, drejtori i Mjedisit që është kunati i Ergys Agasit, së bashku me tre persona të tjerë. Ngjarja dyshohet se ka ardhur pas një përplasjeje verbale të ndodhur një ditë më parë mes palëve.

Burime brenda institucionit bëjnë me dije se konflikti lidhet me një grup inspektimi për çështjen e dherave. Sipas tyre, Fatmir Meta ka bllokuar mjetet e subjekteve që derdhnin dhera nëpër rrethinat e Tiranës.

Pas debatit të djeshëm, një ditë më pas, situata ka degraduar në dhunë fizike me qyta pistoletash brenda ambienteve të institucionit.

Raportohet se Meta është goditur nga Çela dhe persona të tjerë që e shoqëronin, ndërsa rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende për t’u sqaruar.

Pas incidentit të rëndë, mësohet se Çela ka shkuar në zyrën e Drejtorit të IKMT Afrim Qendro, ku ka kërkuar dorëheqjen.

Deklarata për shtyp

Asnjë incident nuk do të kalojë pa përgjegjësi. Pas ngjarjes së ndodhur, Inspektorati i Përgjithshëm ka marrë menjëherë masat administrative dhe ligjore ndaj personave të përfshirë. Menjëherë pas marrjes së njoftimit zyrtar nga IKMT, strukturat përgjegjëse të Inspektoratit të Përgjithshëm kanë nisur verifikimin e plotë dhe dokumentimin e ngjarjes.

Personat e përfshirë janë pezulluar nga detyra deri në përfundimin e hetimit administrativ dhe penal. Paralelisht, janë vënë në lëvizje të gjitha mekanizmat disiplinorë të parashikuar nga legjislacioni në fuqi. Inspektorati i Përgjithshëm nuk toleron asnjë formë dhune, sjelljeje të papërshtatshme apo cenim të integritetit institucional.

Administrata publike duhet të jetë model korrektësie, profesionalizmi dhe përgjegjshmërie. Integriteti i institucionit dhe besimi i qytetarëve janë prioritet absolut. Inspektorati i Përgjithshëm do të vijojë të informojë publikun dhe mediat mbi ecurinë e procedurave.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb