Deputeti Erald Kapri në seancën plenare në Kuvend ka ngritur shqetësimin për rritjen e kriminalitetit në vend dhe dhunën mes adoleshentëve.
Ai theksoi se është e pafalshme që nuk ka asnjë qëndrim nga ministrja e Brendshme.
“Do të dëshiroja të kisha ministren e Brendshme në sallë, pasi në fillim të muajit nëntor u mburr se kemi numrin më të vogël të vrasjeve në Shqipëri. Pa kaluar gjysmë ore nga kjo deklaratë, në Rinas në vendin më të ruajtur ndodh një ekzekutim mafioz…ndaj një personazhi i shoqëruar nga një oficer i strukturave të policisë që edhe ai humbi jetën…Më pas kemi pasur ngjarje të tjera. Në datën 25 kishim një atentat mafioz, pak ditë më parë vrasjen e biznesmenit Hyka. Nuk e kuptoj si ministrja ka guximin të thotë që jemi vend i sigurt. Krimi i organizuar ka siguri, mbështetjen politike dhe të policisë. Nuk pati asnjë analizë. Refuzon ministrja e Brendshme të mbajë një qëndrim. Ajo është mësuar sa herë njerëzit të kenë hall, t’i drejtohen asaj personalisht dhe është e paaftë të mbajë përgjegjësi politikë. Na thuhet që jemi vendi më i sigurt. Ministrja nuk guxon të thërrasë drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, ky nuk i jep llogari askujt. Një tjetër ngjarje ka qenë vërtet e frikshme. Ku një grup adoleshentësh në Durrës dolën nga shkolla dhe goditën njëri tjetrin nga thika. Njëri prej tyre lufton me jetën. Sot nuk flet njeri dhe dhuna në shkolla është bërë fenomen i frikshëm. Edhe në rastin e Durrësit, kur iu kërkua drejtoreshës së shkollës të flasë, nuk ndodhi”, tha ai.
Gjithashtu Kapri tha se deri më tani nuk është parë asnjë masë e rëndësishme, dhe se prindërish janë shumë të shqetësuar.
“Drejtori i policisë së Shtetit të gjithë krerët e organizatave kriminale janë kërkim nga SPAK dhe asnjë prej tyre nuk kapet…dhe janë të gjithë në Shqipëri. Janë edhe në burgje dhe asnjë nuk kapet. Kemi krerë të bandave që bëjnë ligjin në Shqipëri dhe ministrja nuk mban qëndrim. Kriminaliteti kërkon një vëmendje tjetër. Thirrja ime për qytetarët është kjo, të rrëzojmë Edi Ramën me votë”, tha ai.
