Drejtori i CRCA, Altin Hazizaj i ftuar në studion e emisionit “Open” në News24 ka reaguar ashpër në lidhje me rastin e dhunës të regjistruar mes disa vajzave adoleshente në një nga shkollat 9-vjeçare të kryeqytetit.

Sipas tij fëmijët sot duhet të ishin paraqitur para gjykatës për veprën e kryer dhe jo të zhvilloheshin ende takime me prindër në shkolla, ndërsa shtoi se ky institucion nuk i ka mësuar fëmijët për përgjegjësitë e tyre penale.

Nga ana tjetër gazetari Mentor Kikia ka mbështetur këtë qëndrim duke deklaruar se adoleshentët duhet të mësojnë të kenë frikë nga ligji, pasi ata që janë nën 18 vjeç nuk mund të “bëjnë çfarë të duan” me pretendimin se nuk kapen nga ligji për shkak të moshës.

Ai shtoi më tej se atyre u janë mësuar vetëm të drejtat dhe se ata duhet të kuptojnë përgjegjësitë e tyre penale, gjë që bën të ndërmarrin veprime të tilla që mund të eskalojnë deri në dhunë të rëndë fizike.

Pjesë nga biseda:

Hazizaj: Familja nuk është informuar si duhet, shkolla nuk ka bërë rolin e vetë që nëse edhe tërheq fijen e flokut të një personi është vepër penale. Duhet edukimi ligjor për çdo adoleshent. Ata duhet të ishin para gjykatës, jo të bëhen takime me prindër. Në Amerikë do futeshin në shkollën e riedukimit. Shkon dhe merr armën nesër një fëmijë, bën masakër.

Kikia: Adoleshenti duhet të mësojë të ketë frikë nga ligji, nuk mund të bëjnë çfarë të duan ata që janë nën 18 vjeç. Këshilla më e madhe që u jepet fëmijëve është denoncimi. Para disa vitesh janë masakruar me tulla dhe thika në një gjimnaz, dhe i lëshuan pas një jave sepse ishin të mitur. Ne u kemi mësuar vetëm të drejtat, duhet të kuptojnë përgjegjësitë penale. Nuk kanë frikë shkollën dhe shtetin dhe më pas ndërmarrin ato veprime.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: