TIRANE- Deputetja e PS-së, Klodiana Spahia ka dëshmuar sot në Gjykatën e Lartë në seancën në ngarkim të deputetëve të PS-së, Pjerin Ndreu e Arben Ndoka nën akuzë për dhunë fizike ndaj deputetit të PD-së, Gent Strazimiri.

Spahiu ka deklaruar se ka parë vetëm deputetin Arben Ndoka të godasë Strazimirin.“Nuk kam parë asnjë konflikt tjetër”, ka thënë ajo.

Në ato pak minuta të dëshmisë së saj, deputetja Spahiu konfirmoi faktin se ka parë Ndokën që ka goditur Strazimirin, ndërsa nuk ka dëgjuar fjalët që kanë shkëmbyer me njëri-tjetrin.
“Kisha disa libra në duar dhe po shkoja drejt bibliotekës në momentin që pashë sherrin. Isha në fund të korridorit dhe nuk dëgjova fjalët e shkëmbyera mes tyre”, ka sqaruar Spahiu.

Ndërkaq mësohet se dy të pandehurit, Ndreu dhe Ndoka nuk ishin të pranishëm në seancë. Po sot Gjykata e Lartë kishte ftuar në cilësinë e dëshmirtarit edhe deputetët Parid Carta e Armando Prenga, të cilët nuk u paraqitën.

Në fund të seancës, deputeti i PD-së Eduard Halimi deklaroi se mazhoranca po tenton ta zvarrisë këtë proçes me çdo kusht. Sipas tij po shantazhohen edhe gjyqtarët e çështjes.

“Në mënyrë të qëllimshme deputetet nuk vijnë të dëshmojnë. Mungesat e qëllimshme bëhen që të zvarrisin këtë proces”, tha ai.

Më herët vetë deputeti Strazimiri ka dhënë versionin e ngjarjeve në ambientet e Kuvendit, duke treguar atë që publikisht është parë edhe në video, por ka shtuar se atij i është thënë gojarisht nga dy deputetët se “do ta vrasin’.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb