Mali i Zi është përfshirë ditën e sotme nga protesta të dhunshme, pas miratimit të ligjit për Presidentin, për të cilin protestuesit pretendojnë se ka për qëllim prishjen e rendit kushtetues.

Ngjarja u karakterizua nga incidente të shumta.

Një grup të rinjsh pas njoftimit të përfundimit të seancës, kanë sulmuar policinë, kanë thyer gardhin dhe kanë qëlluar në drejtim të Kuvendit duke thyer edhe derën e hyrjes në Parlament. Kjo i shtyu efektivët që të përgjigjeshin me spray djegës për sytë, por se nuk raportohet për përdorim të gazit lotsjellës.

Demonstruesit kanë sulmuar me shishe, pishtarë dhe sende të tjera të forta. Informacionet e para raportonin për përdorim të gazit lotsjellë, por kjo u hodh poshtë nga informacione të mëtejshme.

Pse Ligji për Presidentin është i diskutueshëm?
Qëllimi i ndryshimeve të propozuara nga Fronti Demokratik pro-rus është që kandidati i tyre, Miodrag Lekiq, të zgjidhet kandidat për kryeministër i Qeverisë së re malazeze.

Këto ndryshime ia heqin një pjesë të kompetencave presidentit Millo Gjukanoviq.

Opozita, e udhëhequr nga partia e Gjukanoviqit, kërkon shpërndarjen e Parlamentit dhe organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, por shumica parlamentare, e udhëhequr nga Fronti Demokratik pro-rus, po kërkon që të formohet një Qeveri e re që do të udhëhiqej nga Llekiqi.

Kuvendi miratoi Ligjin e ndryshuar më 2 nëntor, por Gjukanoviqi refuzoi ta nënshkruante atë. Sipas Kushtetutës, presidenti është i detyruar ta shpallë ligjin, pasi të jetë miratuar për herë të dytë në Kuvend.

Të hënën u miratua për herë të dytë ky Ligj, dhe nëse Gjukanoviq nuk e nënshkruan atë, kryetari i Kuvendit mund ta pubikojë Ligjin në Gazetën Zyrtare, i cili hyn më pas në fuqi.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: