Gazetari Ervin Dushi ka denoncuar se është dhunuar mbrëmjen e sotme rreth orës 20:00 nga disa persona në Shkodër.
Sipas deklarimeve të tij, autor i dhunës ka qenë shtetasi Prek Gjoni, së bashku me disa persona të tjerë që ndodheshin me të. Gjoni njihet si pronari i rrjetit të marketeve Xhedis.
Dushi pretendon se ngjarja lidhet me një denoncim të bërë prej tij disa kohë më parë në mbështetje të një punonjëseje të marketit, e cila kishte pasur një mosmarrëveshje me pronarin e kompanisë.
Pas incidentit, gazetari ka bërë kallëzim në Policinë e Shkodrës dhe është shprehur se do ta ndjekë çështjen në rrugë institucionale.

“Çështjen do të vijoj ta ndjek përmes institucioneve”, mësohet të ketë deklaruar ai pas denoncimit në polici.
Shkodër / Informacion paraprak
Në ambientet e Komisariatit të Policisë Shkodër është paraqitur shtetasi E. D., gazetar, i cili ka kallëzuar se rreth orës 20:00 është goditur me grushte nga disa shtetas, në lagjen “Skënderbeg”, përpara supermarketit “Xhedis”.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë kryer veprimet e para procedurale dhe kanë bërë identifikimin e njërit prej personave, shtetasit P. Gj., ndërsa po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë konflikt dhe shoqërimin e tyre në Komisariatin e Policisë Shkodër.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj.
