Një incident i rëndë është regjistruar në ambientet e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), ku është dhunuar drejtori i Ekzekutimit të Vendimeve, Fatmir Meta.

Sipas gazetares së News24, Klodiana Lala, Meta është sulmuar nga Klesti Çela, drejtori i Mjedisit që është kunati i Ergys Agasit, së bashku me tre persona të tjerë. Ngjarja dyshohet se ka ardhur pas një përplasjeje verbale të ndodhur një ditë më parë mes palëve.

Burime brenda institucionit bëjnë me dije se konflikti lidhet me një grup inspektimi për çështjen e dherave. Sipas tyre, Fatmir Meta ka bllokuar mjetet e subjekteve që derdhnin dhera nëpër rrethinat e Tiranës.

Pas debatit të djeshëm, një ditë më pas, situata ka degraduar në dhunë fizike me qyta pistoletash brenda ambienteve të institucionit.

Raportohet se Meta është goditur nga Çela dhe persona të tjerë që e shoqëronin, ndërsa rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende për t’u sqaruar.

Pas incidentit të rëndë, mësohet se Çela ka shkuar në zyrën e Drejtorit të IKMT Afrim Qendro, ku ka kërkuar dorëheqjen.

Deri në këto momente nuk ka një reagim zyrtar nga IKMT apo nga palët e përfshira, ndërsa pritet që rasti të hetohet nga organet kompetente.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb