TIRANE – Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për administratoren e kopshtit privat “Diren”, Anjeza Shabani, pas dhunimit të fëmijës 3-vjeçar në ambientet e kopshtit në Sauk.
Prokuroria e Tiranës dorëzoi dje në Gjykatë kërkesën për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për shtetasen Anjeza Shabani. Referuar hetimeve të deritanishme, mësohet se para rreth 20 ditësh ka ndodhur edhe filmimi i momenteve të dhunës së administratores së kopshtit ndaj 3-vjeçarit. Regjistrimi i akteve të rënda është bërë nga kamerat e vendosura në çantën e djalit të autorit të kallëzimit ndaj Anjeza Shabanit.
Pronarja e kopshtit privat është pritur jashtë dyerve të gjykatës nga babai i saj, i cili ka hipur në kangjellat rrethuese të gjykatës për të përshëndetur vajzën e tij dhe për t’i dhënë zemër.
Sapo zbriti nga furgoni i policisë, Anjeza Shabani vuri re praninë e të atit dhe i tha: “Jam mirë babi”. Ndërkohë i ati u ngjit në kangjellat e gjykatës duke i thirrur: “Bravo bab, qëndro e fortë”.
Administratorja e kopshtit “Diren” u arrestua të hënën, pas publikimit të videos në emisionin “Stop”, ku ajo dukej teksa dhunonte barbarisht një fëmijë 3-vjeçar.
(er.nu/BalkanWeb)

