Deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi, ka komentuar renditjen e saj në listën e hapur të kandidatëve për deputetë të PD-së në zgjedhjet e 11 majit. E ftuar në studion e News24, ajo u shpreh se nuk ndjen zhgënjim për përfshirjen e saj në garë dhe e konsideron këtë proces si një hap pozitiv për partinë.

“Jam pjesë e PD që nga fillimet e saj dhe kam hyrë në strukturat qendrore pas një vote në Këshillin Kombëtar në vitin 2009. Nuk kam asnjë zhgënjim. Do të isha e zhgënjyer nëse nuk do të më jepej mundësia për të kandiduar, por kjo nuk ka ndodhur,” – deklaroi Çupi.

Ajo e cilësoi listën e hapur si një proces me dinjitet politik, duke theksuar se qëllimi kryesor i PD-së mbetet rikthimi në pushtet dhe ndalja e korrupsionit qeveritar.

“PD ka një program dinjitoz për qytetarët dhe lista e hapur është një mundësi për të garantuar përfaqësim të drejtë. Synimi është i qartë: të sjellim PD-në në pushtet dhe t’i japim fund nivelit të lartë të korrupsionit që ka mbërthyer vendin,” – tha ajo.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb