Peter Sorensen, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë pritet ta vizitojë sot Prishtinën dhe më pas edhe Beogradin për të avancuar procesin e dialogut.
Kjo vizitë vjen menjëherë pas zgjedhjeve në Kosovë dhe pasi vendet anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar për vazhdimin e mandatin diplomatit danez Peter Sorensen në këtë post edhe për së paku dy vjet.
Presidenca e Kosovës ka konfirmuar se presidentja Vjosa Osmani do ta presë Sorensenin me fillim nga ora 10:00 të mërkurën. Emisari i BE-së pritet të takohet edhe me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, por edhe me përfaqësues të partive opozitare dhe me shoqërinë civile.
Mandati i tashëm Sorensenit do t’i skadonte në muajin shkurt, pasi ai fillimisht ishte emëruar në këtë post për vetëm 13 muaj. Kjo pasi në atë kohë në BE nuk ishin të sigurt se në çfarë mënyre mendojnë t’i qasen dialogut pas përfundimit të mandatit të Miroslav Lajçakut.
Edhe pse nuk ka pasur progres në dialog mes Kosovës dhe Serbisë, dhe ka pasur numër shumë të vogël të takimeve, në BE përgjegjësinë për mungesën e progresit ua lan palëve.
Ngërçin politik pas zgjedhjeve të muajit shkurt të vitit të kaluar në Kosovë e përmendin në Bruksel si pengesë për progres në dialog, por edhe situatën politike në Serbi. Tash së paku pas zgjedhjeve në Kosovë presin që situata të jetë më e qartë dhe Kosova shpejt t’i formojë institucionet e reja si rezultat i zgjedhjeve të fundit.
“Në BE besojnë se dialogu mund të ringjallet dhe se palët do ta kuptojnë dëmin që i bëjnë vendeve të tyre në rast se nuk bëjnë progres në procesin e normalizimit të raporteve, pasi ai progres është edhe kusht për rrugëtimin e tyre evropian si dhe për përfitime nga Plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor. Edhe Kaja Kallas, përfaqësuese e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, nën autoritetin e së cilës edhe zhvillohet dialogu në Bruksel, është e gatshme ta organizojë një takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogu, siç thonë në BE “kur të krijohen kushtet e duhura”, tha ai.
