Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon deklaroi se shpreson që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të finalizohet me një marrëveshje për njohje reciproke në vjeshtën e këtij viti.
Përmes një videomesazhi, Cramon theksoi se synimi i paraprin një konferencë në Paris ndërmjet të dyja palëve, me presidentin francez, Emmanuel Macron si i zoti i shtëpisë.

Cramon shtoi më tej se mes takimeve që ka zhvilluar i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak me kryeministrin kosovar, Avdullah Hoti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, dhe pasi blloku evropian të marrë drejtimin, procesi do të mund të shkojë përpara.

“Hapi i ardhshëm, dhe më i rëndësishëm, do të jetë mbajtja e një konference në Paris, e iniciuar dhe organizuar nga presidenti (francez, Emanuel) Macron dhe më pas natyrisht, pritjet janë që më në fund do të mund të shohim arritjen e një marrëveshjeje për njohje reciproke përgjatë vjeshtës. Kjo është ajo për të cilën duhet të punojmë me të dyja palët për të arritur këtë rezultat të suksesshëm, deri në fund të këtij viti”, tha ajo.

Kujtojmë se dialogu mes këtyre dy shteteve është pezulluar nga nëntori i vitit 2018, kur autoritetet e Kosovës patën vendosur taksë 100 për qind në mallrat e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës. Ndërkohë kjo masë është zëvendësuar me reciprocitet, nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili i hoqi masat.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb