Drejtori i Zyrës për Kosovë në qeverinë serbe, Petar Petkoviç, ka deklaruar sot se synimi i qartë i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, është që të ndryshojë rrënjësisht situatën në terren me dhunë dhe veprime të njëanshme, gjë që do të cënonte rrjedhën aktuale të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Deklarata e tij vjen ndërkohë që nesër pritet të mbahet takimi i radhës në kuadër të dialogut në Bruksel.

“Kurti nuk është i autorizuar të lejojë apo të mos lejojë diçka kur është fjala për Bashkimin e Komunave Serbe (USO), sepse kompetencat e tij dhe mënyra se si duhet të formohet janë të përcaktuara përmes 4 marrëveshjeve të Brukselit nga viti 2013 dhe 2015, dhe ka nuk ka vend për arbitraritet”, tha Petkoviç në një deklaratë me shkrim.

Sipas tij, detyra e kryeministrit të Kosovës është që të zbatojë atë që është nënshkruar, me kusht që fillimisht të mësojë se si quhen marrëveshjet, kur janë nënshkruar dhe çfarë thonë ato.

“Gjithçka tjetër është vetëm një përpjekje për të penguar procesin e normalizimit të marrëdhënieve Prishtinë-Beograd dhe nga çdo gjë që thotë dhe bën Kurti tregon se ai nuk është aspak i interesuar për atë proces”, tha Petkoviç.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb