Shtëpia britanike e ankandeve Sotheby’s ka nxjerrë në ankand diamantin e zi të prerë më të madh në botë.

Diamanti i zi 555,55 karat i quajtur “Enigma”, i cili ka nisur të ekspozohet në Sotheby’s në Londër, do të jetë në ankand online në datat 3-9 shkurt.

Diamanti i zi, i cili mendohet të jetë formuar kur një asteroid me gurë të çmuar u përplas me tokën 2,6 deri në 3,8 miliardë vjet më parë, dhe që përfshin osbornitin, mineral i gjendur në meteorite, do të gjejë pronarin e tij të ri më 10 shkurt.

Enigma, me peshë 800 karat në formë të papërpunuar kur u ble nga pronari aktual në vitet 1990, mori formën e saj përfundimtare pas tre vitesh përpunimi. E prerë në formë palme sipas frymëzimit nga Lindja e Mesme, Enigma pritet të gjejë blerës për rreth 3-5 milionë sterlina.

Duke folur për AA, Nikita Binani, specialiste e bizhuterive në Sotheby’s, shprehu kënaqësinë për ofrimin e një diamanti të rrallë dhe që bie në sy.

Binani vuri në dukje se Enigma u rendit si diamanti më i madh i zi me ngjyrë natyrale në botë nga Instituti i Gurëve të Çmuar i Amerikës (GIA) dhe hyri në Librin e Rekordeve Guinness si “diamanti më i madh i prerë në botë” në vitin 2006.

Duke theksuar se Enigma është një nga diamantet më të fortë që ekzistojnë, Binani deklaroi se në ankand mund të përdoren edhe kriptovalutat.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb