Ylli i muzikës R&B, pop-it dhe soul-it, Diana Ross ka mbyllur festën e jubileut të platintë të mbretëreshës Elizabeth II duke i kërkuar turmës së spektatorëve që ta falënderojnë monarken për shërbimin e saj ndaj kombit.
E prezantuar nga komediani Lee Mack, këngëtarja 78-vjeçare doli në skenë e veshur me një fustan voluminoz bardh e zi dhe stoli argjendi.
Ajo performoi një përzgjedhje të këngëve të saj më të mira duke e filluar me “Chain Reaction”.
“Përshëndetje, nga të gjithë njerëzit këtu sonte, dhe miliona njerëz që shikojnë në mbarë botën, ne kemi një mesazh të thjeshtë për ju: Faleminderit!”, iu drejtuar monarkes 96-vjeçare këngëtarja e famshme.
Më pas, ajo këndoi këngën ”Thank You” ndërsa projeksionet e fjalëve “Thank You” dhe “Love” u ndezën në Buckingham Palace.
Ross e mbylli setin me “No Mountain High Enough”, ndërsa shoqërohej nga një kor dhe orkestër.
”Ju admiroj, Madhëria juaj! Jam shumë krenare dhe e kënaqur që jam këtu për të ndarë këtë mbrëmje me ju!”, tha Ross.
Veprimtaria speciale jubilare, e cila u mbajt jashtë pallatit Buckingham, shfaqi gjithashtu një formacion të mbushur me yje me performanca nga ”Duran Duran”, Craig David, Alicia Keys dhe Rod Stewart.
