Zgjedhjet parlamentare të fundit nxorën në pah hendekun e thellë mes politikës shqiptare dhe diasporës. Një hendek që nuk është thjesht administrativ apo elektoral, por politik, organizativ dhe mbi të gjitha strategjik. Regjimi aktual e ka parë diasporën jo si partner, por si instrument. Me rrjete diplomatike, konsullore dhe informale, shpesh të errëta, ai e ka përdorur atë kryesisht për manipulim elektoral dhe propagandë, kurrë si burim ideje, force apo ndërtimi.
Ndërkohë, Partia Demokratike, në disa aspekte ka mbetur e bllokuar në forma të vjetra organizimi: “degë jashtë shtetit”, struktura të ngurta dhe ceremoniale, që nuk përfaqësojnë më realitetin e një diaspore moderne, profesionale dhe të shpërndarë në botë, dhe që nuk arrijnë ta përfshijnë atë në vendimmarrje. Kjo situatë kërkon ndërtimin e një hapësire të re politike dhe organizative: zgjerimin dhe thellimin e modelit Brain Gain si bosht i marrëdhënies së Partisë Demokratike me diasporën.
Nga degë në hapësira, një organizim i ri për diasporën
Departamenti Brain Gain nuk duhet parë si një strukturë periferike, por si një nga shtyllat strategjike të organizimit të Partisë Demokratike. Një hapësirë fleksibël, fluide dhe inovuese, e ndërtuar mbi parimin “një hapësirë për çdo demokrat”, ku shqiptarët e diasporës nuk ftohen thjesht të identifikohen politikisht, por të kontribuojnë realisht.
Kjo hapësirë ka disa funksione themelore: ndërtimin e një regjistri të saktë dhe dinamik të diasporës; përgatitjen serioze për ushtrimin e së drejtës së votës; dhe krijimin e mekanizmave të përfaqësimit që i japin dinjitet dhe zë shqiptarëve jashtë vendit. Por mbi të gjitha, ajo duhet të jetë ura e Brain Gain-it, e konceptuar jo si një proces i vetëm, por si një strategji me tre dimensione të dallueshme dhe të ndërlidhura.
Tre dimensionet e Brain Gain
Brain Gain politik është hapi i parë dhe nis që në opozitë. Ai synon përfshirjen e atyre individëve të diasporës që kanë përvojë, dije dhe vullnet për t’u angazhuar drejtpërdrejt në jetën politike përmes Partisë Demokratike. Numri i tyre mund të mos jetë masiv, por pesha e tyre është e jashtëzakonshme. Ata janë bartës të një kulture tjetër institucionale, të një standardi tjetër profesional dhe të një etike tjetër publike. Përmes tyre, PD jo vetëm pasurohet intelektualisht, por forcon besueshmërinë e saj si alternativë qeverisëse.
Brain Gain administrativ nis në momentin kur Partia Demokratike merr përgjegjësinë e qeverisjes. Këtu kërkohet një kornizë ligjore dhe institucionale që krijon kushte reale për kthimin e profesionistëve shqiptarë në administratë, universitete, sistem shëndetësor, drejtësi dhe institucione publike. Ky është investimi më i rëndësishëm për modernizimin e shtetit: jo thjesht kthimi i individëve, por injektimi i standardeve dhe praktikave të reja.
Brain Gain ekonomik është dimensioni më i gjerë dhe afatgjatë. Kur politika dhe administrata reformohen, krijohet klima e besimit që sjell kthimin e sipërmarrësve, investitorëve dhe drejtuesve të kompanive shqiptare të diasporës. Ky është momenti kur Shqipëria pushon së qeni vetëm vend emigracioni dhe fillon të bëhet vend kthimi. Brain Gain ekonomik sjell kapital, vende pune dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Përpara kthimit të trurit, ruajtja e lidhjes shpirtërore
Një e vërtetë duhet thënë pa ekuivok: përpara se të mendosh për kthimin e trurit, duhet të mendosh për mos shkëputjen e shpirtit. Kthimi fizik i diasporës është i pamundur pa ruajtur lidhjen shpirtërore dhe institucionale me vendin.
Një i ri që largohet sot për studime apo punë në Vjenë, Berlin apo Nju Jork, nëse kalon pesë apo dhjetë vite pa asnjë kontakt institucional me Shqipërinë, pa rrjet bashkëpunimi, pa ndjesinë se vendi e kujton dhe e fton, nuk do të kthehet kurrë.
Shteti e ka braktisur atë duke i lënë së lidhje të vetme me vendin atë që ka me familjarët që ka lënë mbrapa. Në këto kushte, edhe nëse kthehet, shkëputja shpirtërore e tej zgjatur në kohë sjell edhe një shkëputje me realitetin dhe zhvillimin e vendit duke bërë një kthim, cilado të jetë forma e këtij kthimi, kundër produktiv.
Një kthim i sforcuar i një diaspore të larguar shpirtërisht krijon, ose më saktë ushqen, një hendek të pranishëm në shoqërinë tonë që lidhet me konfliktin e kompetencave midis atyre që vijnë nga jashtë dhe atyre që nuk janë larguar. Fatkeqësisht, shumë shpesh, këto dy kategori janë vendosur përballë njëra tjetrës, sikur njëra është më e mirë se tjetra ndërkohë që ato në fakt plotësojnë njëra tjetrën.
Prandaj, politika e diasporës nuk nis me thirrjen “kthehuni”, por me ndërtimin e lidhjeve. Lidhje që frymëzojnë, që krijojnë bashkëpunim, që japin kuptim dhe krenari për të qenë pjesë e një kombi që nuk të harron. Lidhje që të mësojnë se askush i vetëm nuk do e shpëtoj Shqipërinë, duke dal kështu nga sindroma e mesisë, për të shkuar drejt sindromës së ndërtimit, me një brez që e sheh të ardhmen nëpërmjet kryerjes së detyrës, sado e vogël që ajo të jetë.
Rrjeti i ambasadorëve dhe përgatitja për betejën e ardhshme
Në këtë kuadër, Rrjeti i Ambasadorëve merr një rol qendror. Jo si titull simbolik, por si strukturë veprimi. Shqiptarë të diasporës, të organizuar sipas temave dhe vendeve, që ndërtojnë lidhje me aktorë politikë, akademikë dhe institucionalë në vendet ku jetojnë; që shkruajnë, flasin, shpjegojnë dhe denoncojnë realitetin shqiptar; që përgatisin terrenin ndërkombëtar për betejat politike që PD do të zhvillojë nesër.
Kjo strukturë duhet të jetë fluide, e lidhur ngushtë me indikatorët e performancës që kemi shtjelluar më parë, dhe e orientuar drejt rezultateve konkrete: ide, ndikim, organizim dhe përgatitje për zgjedhjet e ardhshme.
Shqipëria nuk ka dy popuj. Ka një komb me dy hapësira. Vetëm kur këto dy hapësira të takohen realisht, atëherë mund të themi se kemi fituar, më në fund, një takim vendimtar me Historinë.
