Një emigrant shqiptar, pjesëmarrës në protestën në Sheshin Skënderbej, ka folur për News24 duke shprehur shqetësimet e tij për situatën politike dhe sociale në vend.

Ai tha se shqiptarët meritojnë të kenë një vend dinjitoz në familjen europiane dhe se Shqipëria ka potencial të madh për shkak të historisë dhe bukurive të saj.

“Unë jam emigrant. Ne meritojmë një vend në shoqërinë europiane, siç e meritojmë. Ne jemi një vend fantastik që adhurohet nga çdo i huaj”, u shpreh ai.

Qytetari kritikoi qeverisjen aktuale, duke thënë se investimet duhet të përqendrohen në zhvillimin e vendit dhe jo në përpjekjet për të përmirësuar imazhin politik.

“Sikur Rama të jepte 1 miliard euro në të gjithë botën për të pastruar emrin e tij, sikur këto para të investoheshin në vendin tonë, çdo njeri do t’ia jepte votën”, deklaroi ai.

Ai tha se ndihet keq që një vend me histori të pasur është përballur, sipas tij, me probleme të mëdha korrupsioni.

“Në një vend me kaq histori të bukur, kemi përfunduar në një vend shumë të korruptuar. I padituri këtu bëhet hero dhe i dituri merr rrugët”, u shpreh emigranti.

Sipas tij, shqiptarët kërkojnë një shtet ku të mbizotërojë meritokracia dhe qytetarët të ndihen të lirë.

“Ne jemi këtu për të qenë krenarë për atdheun tonë, siç ishin të parët tanë. Meritojmë një qeveri europiane, ku vlerësohet meritokracia dhe ku njeriu të ndihet i lirë, jo i frikësuar nga patronazhistët dhe shumë gjëra të tjera”, tha ai. Në fund, qytetari uroi që Shqipëria të arrijë ndryshimet që, sipas tij, qytetarët meritojnë. Sot shumë qytetarë shqiptarë që jetojnë në diasporë i janë bashkuar protestës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: