Situata nga zjarret në qarkun e Dibrës vijon të jetë problematike, me dy vatra aktive në zonën e Selishtës, në Bashkinë Dibër, dhe në territorin e Bashkisë Bulqizë.
Vatra më problematike ndodhet në zonën e Qafë-Helmesit, pranë kufirit mes Selishtës dhe Njësisë Administrative Fushë-Bulqizë. Zjarri vijon të jetë aktiv dhe është përhapur në terren pyjor, ndërsa flakët kanë dalë jashtë kontrollit.
Ndërhyrja e forcave për izolimin dhe shuarjen e zjarrit po zhvillohet në kushte tepër të vështira. Terreni i thyer, temperaturat e larta dhe përhapja e shpejtë e flakëve po vështirësojnë afrimin e mjeteve dhe forcave zjarrfikëse pranë vatrave.
Në terren janë angazhuar forca të shumta nga të dyja njësitë administrative, të cilat po punojnë për izolimin e vatrës dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të flakëve.
Sipas raportimeve të fundit, zjarri në Qafë-Helmes vijon të jetë aktiv në zonë pyjore, ndërsa operacioni për shuarjen e tij dhe vënien nën kontroll vazhdon.
