DIBËR- Presidenti Bujar Nishani, i ka akorduar titullin e lartë “Nderi i Kombit” fshatit Blliçë, në Dibër si simbol i qëndresës antikomuniste. Me këtë rast nga ana e komunës Çidhën në bashkëpunim me bashkinë e Peshkopisë, u organizua një pritje e veçantë në nder të Presidentit të Republikës. Në fjalën e tij Nishani tha se kalvari i vuajtjeve i një populli të tërë nuk duhet harruar.

“Jemi mbledhur për të kujtuar dhe vlerësuar njërin prej fshatrave simbol të goditjes, dhunës çnjerëzore dhe përndjekjes së pashembullt të diktaturës komunist –Fshatin martir Blliçe dhe banorët e tij të martirizuar. Kujtojmë dhe nderojmë sot mbarë popullin e Fshatit Blliçe të Komunës së Fushë-Çidhnës, ku numri i të burgosurve, të internuarve dhe të përndjekurve nga makineria e pashpirt diktatoriale arriti në dhjetëra e qindra, pa kursyer askënd, duke prekur pothuajse të 150 shtëpitë e fshatit tuaj. Në të gjithë historinë pothuajse 50-vjeçare të sundimit gjakatar komunist, përndjekja që pësoi ky fshat, dikur i njohur me emrin Fushë Alie, vuajtjet tuaja, të baballarëve, nënave, vëllezërve dhe motrave tuaja janë të pashoqe duke shkruar një faqe të zezë në historinë e errët të luftës së klasave në Shqipëri, për turpin tonë!

Ju me shpirtin tuaj fisnik keni vazhduar luftën, përpjekjet tuaja, me ballin lart krenar e të nderuar duke i dhënë forcë e dinjitet kësaj treve. Asgjë nuk harrohet dhe nuk duhet të harrohet!”- theksoi Kryetari i Shtetit shqiptar

Ndërkohë Peshkopia e ka nderuar Presidentin e Republikës, me titullin “Qytetar nderi”.

Kreu i Shtetit mori pjesë edhe në përurimin e memorialin për ish-të persekutuarit politik që i rezistuan diktaturës komuniste, i vendosur në bulevardin kryesor të qytetit  të Peshkopisë.

(m.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: