Një javë që ndryshon krejtësisht panoramën e sezonit për Interin. Nga frika për të mos humbur terren, zikaltërit zgjohen pas javës së 26-të me një avantazh +10 në krye të Serie A. Një shkëputje e rëndësishme, e ndërtuar në vetëm katër ditë, ku skuadra e drejtuar nga Chivu përfitoi edhe nga hapat fals të rivalëve. Kampionati nuk është i mbyllur, por tashmë është qartësisht i orientuar në favor të Interit, që mund të menaxhojë më qetë energjitë edhe në Champions League.
Megjithatë, në Europë mbetet për t’u rikuperuar humbja 3-1 në Norvegji ndaj Bodo, një disavantazh i vështirë për t’u përmbysur përballë një skuadre që ka treguar se di të fitojë edhe në transferta të komplikuara. Sot pasdite pritet konferenca e Chivut, ndërsa nga ana e formacionit rikthehet Barella dhe mund të grumbullohet edhe Dumfries. Më i vështirë rikthimi i Calhanoglu.
Në sulm, pa Lautaron, pritet sërish dyshja Thuram-Esposito, ndërsa në mbrojtje rikthehet nga minuta e parë Akanji përkrah Bastonit dhe Bisseck. Ndërkohë kur Inter është plotësisht i fokusuar tek sfida vendimtare e së martës në mbrëmje, nga Spanja qarkullojnë zëra të bujshëm për një para-marrëveshje të mundshme me teknikun e Atletico Madrid, argjentinasin Diego Pablo Simeonen për sezonin 2026/27. Megjithatë ky lam ende nuk gjen konfirmime në Itali dhe mbetet në kuadrin e spekulimeve. Në këtë moment, prioriteti i Interit mbetet i qartë: ruajtja e avantazhit në kampionat dhe tentativa për përmbysje në Europë. Christian Chivu po bën një punë perfekte këtë sezon me zikaltrit sidomos në kampionat, por ku i dihet një eleminimi i beftë ndaj modestëve të Bodo Glimt, mund të shtoj edhe më shumë zërat, që e afrojnë Simeonen me stolin interist, një dëshirë e hershme kjo e shprehur edhe nga vetë tekniku aktual i “Los Cholchoneros”.
