Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi iu drejtua sot deputetëve të opozitës nga foltorja e Kuvendit, duke u kërkuar që të jenë të pranishëm në komisione për të ecur përpara me agjendën e Parlamentit deri në mbylljen e punimeve.

Peleshi tha se në Konferencën e Kryetarëve nuk pati konsensus për miratimin e agjendës së punimeve të Parlamentit, ndërsa grupi parlamentar i PS-së është pro ecjes përpara me një agjendë të ngarkuar në 2-3 seancat e fundit të mbetura, përpara se Kuvendi të fillojë pushimet.

“Janë 20 akte për t’u miratuar. Parlamenti nuk fillon dhe mbaron në këtë foltore, por gjatë gjithë javës. Ju nuk jeni në komisione, pastaj kërkoni pse nuk futen nisma të tjera, projektligje. Kemi 20 projektakte, i bëjmë 40 po të doni, por duhet punë. Dikush duhet të punojë, të vijë në mbledhje, jo për kuorum, por për të marrë pjesë në procesin e projektakteve”, tha Peleshi.

Peleshi theksoi gjatë fjalës së tij, se grupi i PS-së e bën vetë gjithë procesin në mungesë të opozitës.

“Duhet ta dinë edhe qytetarët, ju nuk vini në komisione dhe në sa komisione që nuk krijohet kuorum, kjo vjen sepse shumë pak anëtarë të opozitës marrin pjesë nëpër komisione. Hajde t’i miratojmë projektaktet. Por, ne me apo pa ju do ta mbyllim me sukses këtë Kuvend për të filluar në shtator”, u shpreh ai.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb