Drejtuesit e FSHF-së janë duke diskutuar për sa i përket datës së startit të kampionatit të Kategorisë Superiore për sezonin 2017-2018. Kujtojmë që një sezon më parë, kampionati shqiptar nisi i fundit (më 7 shtator 2016) nga 55 vende të Europës që janë të antëtarësuar në UEFA.
“Panorama Sport” zbulon nga burime të sigurta në FSHF se për momentin ka dy alternativa për startin e garës. Një ide është që kampionati të nisë më 19 gusht, një periudhë kur startojnë pjesa më e madhe e kampionateve në Europë. Ndërsa, një ide tjetër është që të startojë më 8 shtator.
Megjithatë, në lidhje me këtë çështje do të pyetet edhe trajneri i ri i Kombëtares, pasi përfaqësuesja kuqezi do të luajë dy ndeshje në fillim të shtatorit, kundër Lihtenshtejnit dhe Maqedonisë. Nëse kampionati do të nisë në shtator, deri në dhjetor skuadrat e Superiores do të luajnë maksimumi nga 5 ndeshje në muaj. Pra, gara nuk do të jetë aq e ngarkuar sa mund të mendohet.
Kujtojmë se kampionati i ardhshëm duhet të përfundojë në fillim të majit, pasi në qershor 2018 nis Botërori i Rusisë. Vendimi përfundimtar nga FSHF do të merret pas disa ditësh, kur pritet të mblidhet Komiteti Ekzekutiv.
