Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër pas zgjedhjes së deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, në krye të Kuvendit të Kosovës, duke e quajtur këtë zhvillim një “gabim të pafalshëm” nga ata që e mbështetën.
Në votimin e së martës, kandidatura e Bashës mori mbështetje jo vetëm nga deputetët e VV-së, por edhe nga një pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), si dhe nga tre deputetë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Këta të fundit kishin sinjalizuar edhe në seancën paraardhëse se mund të ndryshonin qëndrim, duke bërë që Basha të sigurojë 73 vota pro, 30 kundër dhe 3 abstenime.
“Një fitore e injorancës dhe një gabim i pafalshëm i mbështetësve të saj. Gjithsesi ky është niveli i tyre, kështu e projektojnë Republikën. Me këto vlera kanë zgjedhur të nderojnë dhe votuesit e popullin e Kosovës. LDK aspiron më lartë. Kosova duhet të aspirojë më lartë. Aksidentet politike e triumfet e injorancës historike do të kapërcejnë. Dritë një ditë do të ketë,” shkroi Abdixhiku në reagimin e tij.
Zgjedhja e Bashës si kryetar i Kuvendit i dha fund ngërçit disa mujor institucional që kishte bllokuar funksionimin normal të jetës parlamentare në vend pas zgjedhjeve të shkurtit 2025. Hapi i radhës për deputetët është zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit: tre do të vijnë nga partitë më të mëdha shqiptare, ndërsa dy të tjerë nga pakica serbe dhe komunitetet e tjera, duke kompletuar kështu strukturën udhëheqëse të organit ligjvënës.
