Zbardhen detaje të tjera nga ngjarja tronditëse që ndodhi brenda një salle gjyqi në Gjykatën e Apelit në Tiranë ku gjyqtari Astrit Kalaja u ekzekutua me armë zjarri brenda sallës së gjyqit.

Raportohet se autori i identifikuar tashmë si shtetasi Elvis Shkambi ka pretenduar se ka qenë palë e dëmtuar në një çështje pronësie që ishte duke relatuar nga gjyqtari Astrit Kalaja, i cili ndërroi jetë vetëm disa çaste pas të shtënave, teksa ishte rrugës për në Spitalin e Traumës.

Mësohet se gjyqtari Kalaja ka qenë duke shqyrtuar një çështje që kishte të bënte me një rast pronësie në Qarkun e Shkodrës. Familja e Elvis Shkambit pretendonte pronësinë e ish-shkollës së Rezervave në kryeqendrën e Veriut, ndërsa palë kundërshtare ishin Rakip dhe Ervis Kurtaj.

Në një moment, teksa gjyqtari lexoi vendimin dhe Shkambi humbi gjyqin, agresori ka nxjerrë një armë zjarri, tip pistoletë, me të cilën ka qëlluar drejt gjyqtarit Kalaja.

Pasi ekzekutoi gjyqtarin me një plumb në zemër, Elvis Shkambi hapi zjarr edhe drejt palës kundërshtare në gjyq, duke lënë të plagosur Rakip dhe Ervis Kurtaj. Këta të fundit u dërguan me urgjencë për tek Spitali i Traumës ku mësohet se ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Autori u arrestua në korridorin e Gjykatës së Apelit pa arritur të largohet.

Momenti i arrestimit të autorit

Konflikti për pronësinë
Autori i masakrës brenda Gjykatës së Apelit në Tiranë është Elvis Shkambi. Ai vrau me armë zjarri gjyqtarin Astrit Kalaja në sallën e gjyqit, teksa lexonte vendimin për çështjen pronësore ku agresori ishte palë.

Ndërkohë, babai i autorit, Gjon Shkambi, pak vite më parë në një reagim për mediat kishte deklaruar se është pronari i ish-shkollës së rezervave në Shkodër.

Ai thotë se është pronari i godinave ku jetonin 31 familje dhe pronat i ka me dokumentacion të rregullt që i ka fituar përmes proceseve gjyqësore.

Shkëmbi kërkonte nga policia dhe përmbarimi, lirimin e pronave të tij.

Në vitin 1992, 31 familjet me vendim të bashkisë Shkodër u vendosën në godinën e ish-shkollës së rezervave të ndërtimit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb