Dinamo do të presë të dielën skuadrën e Teutës në “Air Albania” dhe do të synojë që të marrë fitoren e parë për fazën e katërt dhe ta nisë në mënyrën më të mirë. Por, përballë është një skuadër që e di shumë mirë se si mund të marrë pikë ndaj Dinamos dhe këtë sezon e ka bërë në 3 raste.
Sfida e parë mes Dinamos dhe Teutës e luajtur në Durrës, është mbyllur me fitoren e bregdetarëve me rezultatin 1-0, teksa në të dyja sfidat e tjera, skuadrat kanë barazuar duke mos arritur të fitojë asnjëra prej tyre.
Aktualisht të dyja ekipet janë në një moment të vështirë dhe jashtë objektivave që kishin në fillim të sezonit edhe pse Dinamo ka ende shansin për të fituar Kupën e Shqipërisë, ndryshe nga Teuta që është eliminuar.
Fitorja e së dielës, është kusht për të dyja ekipet, por Dinamo sigurisht ka më shumë presion pasi nuk ka fituar asnjëherë, luan në shtëpinë e saj dhe natyrisht kërkon të rikthehet në “Final 4”. Një tjetër rezultat negativ, do të ishte fatal për skuadrën e drejtuar nga Daja.
