Rrallëherë mund ta gjesh Sulejman Demollarin kaq të nervozuar dhe të revoltuar. Dinamoja e tij, me 19 pikë të grumbulluara dhe vendin e 7-të pas dy fazave të para të kampionatit, jo vetëm nuk po arrin të dalë te “tuneli i errët”, por sipas legjendës së skuadrës kryeqytetase dhe futbollit shqiptar, po lë një shije shumë të keqe me atë që bën në fushë.

Demollarin nuk e ngroh aspak kjo Dinamo, as pas ndryshimeve të merkatos së dimrit. Barazimi në Rrogozhinë me Egnatian është kulmi i saj që e revolton keq ish-yllin dinamovit, i cili këtë herë flet për gabime të nivelit amator nga ana e futbollistëve në fushë. Në një bisedë për “Panorama Sport”, Sulejman Demollari flet me kritika të forta për të gjithë, që nga trajneri e deri te lojtarët, edhe pse nuk parapëlqen të përmendë emra konkretë.

GABIME AMATORESKE – “Kjo Dinamo jo vetëm nuk më ngroh fare, por më irriton shumë me mënyrën si sillet në fushë. Shoh lojtarë që bëjnë gabime amatoreske në shumë ndeshje dhe kjo është për të ardhur keq. Po ju përmend vetëm një rast: golin e Egnatias në ndeshjen e fundit. Gaboi mbrojtësi i majtë (Samake) në pasimin e topit, por ky numri 8 (i referohet Demirit) si nuk bën asgjë për të mbuluar gabimin e shokut të skuadrës?! E shoqëron me sy lojtarin kundërshtar, që hyn në zonë dhe gati sa nuk hyn brenda në portë me gjithë top… As nuk e mbyll, as nuk bën sparkatë, asnjë përpjekje për të shmangur rrezikun. Në futboll ky është nivel amator.

Si mund të të vërë poshtë Egnatia me 10 lojtarë? Po të kishte akoma minuta loje, Egnatia mund të shënonte edhe golin e dytë. Tani që flas dhe jam shumë i irrituar, më vjen në mendje numri 50 (i referohet Siljanovskit): A ka ndonjë ndeshje që ky lojtar nuk merr karton të verdhë?

Dhe merr kartonë pa lidhje, me gabime të pafalshme, sikur e kërkon vetë kartonin. Janë vetëm dy raste që më kujtohen tani, por ka shumë të tilla, nga shumë lojtarë, ndaj dhe kjo skuadër nuk më ngroh. Nuk ka përmbajtje në lojë, nuk ka rrezik në sulm, vetëm me ndonjë goditje të lirë dhe ndonjë veprim të Ibraimit”, thotë fillimisht Demollari.

PËR VETEN E TYRE – Ish-lojtari dhe ish-trajneri i bluve vazhdon më tej me kritikat për futbollistët: “Unë e kuptoj që këta futbollistë nuk do ta ndjejnë kurrë fanellën e Dinamos siç e kam ndjerë unë, siç e kanë ndjerë Mujo Targaj, Faruk Sejdini dhe shumë të tjerë, por të paktën të sillen si profesionistë.

Për veten e tyre, pa mirë për Dinamon. Për çfarë kanë ardhur te Dinamo, që të kthehen përsëri andej nga erdhën. Sot futbolli është ekonomi tregu dhe Dinamo mund t’i katapultojë ata më lart në karrierë. Si mund ta humbësh këtë rast dhe të sillesh si amator te Dinamo. Vërtet Dinamo është shquar për lojën e bukur, për ëmbëlsinë me topin, por ka edhe agresivitet në futboll. Kur them agresivitet, kam parasysh lojën e fortë brenda rregullave, brenda kornizës sportive. Këtë gjë nuk e shoh fare te Dinamo deri tani”.

TRAJNERI – Kritikave të Demollarit nuk u shpëton as trajneri Bledi Shkëmbi: “Dëgjoj që trajneri thotë të njëjtat gjëra para ndeshjeve dhe pas ndeshjeve. Thotë: Do të bëjmë një analizë dhe do të përpiqemi të ndryshojmë e të përmirësohemi… Po kur? Sepse iku gjysma e kampionatit dhe asgjë nuk po ndryshon te Dinamo.

Nuk po shohim lojë, që të besojmë se ekipi do të vijë aty ku duhet. Po pse, për mbijetesë do të luftojë kjo Dinamo? Ne dëgjojmë se presidenti është korrekt me pagesat dhe kjo është gjë shumë e mirë, por atëherë çfarë ka që nuk ecën Dinamo? Unë nuk kam parë që kur një skuadër nuk ecën, të largohen ndihmëstrajnerët. Nuk e di, shpresoj dhe uroj që situata të ndryshojë, por me atë që shoh vetëm sa revoltohem”, ka përfunduar Demollari./panorama sport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: