Trajneri i Dinamos, Ilir Daja analizoi fitoren 0-2 ndaj Tiranës në Kupë.

“Sigurisht që rikthimi ynë s’bëhet me gjysmë hapi, pasi Kupa ka 180 minuta. Por me Kupën është gjithmonë që duhet ta mbyllësh edhe ndeshjen e dytë, për të vazhduar rrugën drejt gjysmëfinales apo finales. Mendoj që kemi bërë një ndeshje të mirë. Kjo u pa edhe në kampionati, pasi po rikthehen edhe lojtarët. Përsëri kemi mungesa, por që jo më për të startuar ndeshjen, apo për të bërë më shpejt ndërrimet.

Kemi bërë një pjesë të parë do të thoja njësoj si të dytën, por në të dytën shkuam drejt golit. Në të parën kishim shanset tona dhe nuk finalizuam. Ajo që është emërues i përbashkët për të dyja pjesët, kemi qenë gjithë kohës në ekuilibër, duke ditur që Tirana del shpejt në kundërsulm. Në një ndeshje Kupe kemi bërë atë që duhej bërë, pasi ka specifikë tjetër Kupa nga kampionati.

Ne i morëm zonat e rrezikshme, aty ku ne themi që është risku më i madh në fazën e sulmit, gati në 20 metrat e fundit. Na mungoi pasimi i fundit, nëse do të kishim qenë më të kujdesshëm dhe efikas në pasimin e fundit, mund ta kishim zhbllokuar lojën që në pjesën e parë. Kjo na mungoi në pjesën e parë.

Në pjesën e dytë kishte pak ndryshim. Malomo zbriste më poshtë dhe largohej nga zona e golit, shërbente për pasimin e fundit ose ftonte të tjerët në zona të rrezikshme. Gjithsesi është ndeshja e dytë që Malomo luan me ne, ka potencial të leximit të lojës dhe nivel teknik, por duhet ta rregullojë me mbështjetje midis linjave.

Në krah kemi Nanin, por sot qëndroi në stol pasi ka probleme me dëmtimet nuk ishte i gatshëm për lojë. Nëse do të kishim një alternative, do ta kishim startuar, qoftë me Nanin ose Malomon. Por Nani e kishte të pamundur, Malomo ka pak, Guindo bëri mirë, por përveç asaj që në fund fare duhet të bëjë një sulmues, pasi sulmuesi matet me asist dhe gola. Kjo i mungoi sot. Por në manovrën e ekipit, tranzicione, ardhjet poshtë për të marrë topin aty ku kishim menduar, i bëri mirë. I mungoi pjesa e golit, ndoshta s’e ka për momentin atë mundësi, pasi edhe ai ka dëmtim, që s’e ka rikuperuar 100%.

Ibrahim Mustapha, të krijonte më shumë vertikalizime? Kur ka mbaruar pjesa e parë, këtë i thashë atij, pavarësisht se e kishte si pjesë të lëvizjeve të vetë. Duke qenë se stoperi i majtë i Tiranës, Halili dhe Lleshi në krahun tjetër, shoqëronin Bregun dhe Guindon kur zbrisnin, gjatë gjithë kohës Mustapah ka qenë 1 kundër 1 me numrin 47 të Tiranës. Nëse do të kishte kërkuar të ç’markohej dhe të kërkonte topin në thellësi, ne do të kishim një alternativë më shumë, për të luajtur me pasimin e gjatë.

Ç’menduat t’i thonit Vilës kur shërbeu për të anuluar një gol? Iu kënaq fitorja apo rikthimi i Alijit? Të fitosh në derbi me Tiranën sigurisht që është kënaqësi. Të kthehet një nga lojtarët më të rëndësishëm, natyrshëm që na vjen mirë, të gjithë e dimë, përveç se është pjesë e rëndësishme e jona, është edhe pjesë e Kombëtares. Për të dyja bashkë isha i kënaqur me një rezultat 2-0 në ndeshjen e parë, pasi ka të dytë. Me rikthim të Alijit janë dy ndeshje që na gëzojnë. Vila? Unë e pashë që në lojë dhe u ktheva me stolin, thashë pse duhet ta prekte Vila atë top. Por që do ta shoh dhe do ta diskutojmë”, tha Daja.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb