Dinamo do të nisë sot përgatitjet për pjesën e fundit të sezonit. Pas barazimit në Shkodër ndaj Vllaznisë, kryeqytetasit patën mundësi që të pushonin për dy ditë dhe ditën e sotme, pushimet përfundojnë teksa skuadra do të rikthehet në fushën e blertë për të nisur nga puna.

Të besuarit e Dajës do të presin Elbasanin në javën e 30-të të kampionatit, në një përballje ku natyrisht fitorja është rezultati i vetëm që bën punë për Dinamon në këtë pikë të kampionatit. Në Shkodër, Dinamo nuk mori më shumë se një barazim pa gola por, paraqitja që Dinamo bëri dha sinjale se forma e dobët ka kaluar dhe në kampin blu është rritur besimi se ndaj Elbasanit në shtëpi, mund të synohet një rezultat pozitiv, sidomos për faktin që ekipi ka pushim nga ndeshjet dhe lojtarët e dëmtuar, mund të jenë gati për t’u vënë në shërbimin e trajnerit Daja në këtë fazë të fundit të kampionatit të rregullt.

DËMTIMET- Dinamo ka hasur në probleme të mëdha deri më tani për shkak të dëmtimeve dhe përveç Hoxhës që këputi ligamentin që në fillim të sezonit, dëmtime ka pasur shumë edhe në vazhdimësi të kampionatit. Në janar, një tjetër lojtar pësoi dëmtim të rëndë, ku Maliqi këputi ligamentin ndaj Besës së Kavajës në një sfidë të Kupës. Në javët e fundit të kampionatit, Dinamo nuk ka pasur në skuadër Beqjen, Qardakun që janë dëmtuar dhe kanë munguar prej disa javësh, por mungesa ka pasur edhe Qefalija dhe Guindo të cilët në ditët e fundit nuk kanë qenë me skuadrën. Pushimi i Kombëtareve i ka hyrë në punë shumë Dinamos në këtë pikë të kampionatit duke qenë se lojtarët e dëmtuar në ditët e fundit, mund të rikthehen për sfidën e radhës në kampionat. Në sfidën ndaj Elbasanit, me shumë gjasa grupi do të jetë i plotë nën urdhërat e trajnerit Daja për të synuar kthimin në “Final 4”.

KALENDARI- Dinamon e pret një kalendar i ngjeshur pas rikthimit në fushë duke qenë se veç sfidave të kampionatit, blutë do të kenë edhe gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Të besuarit e Dajës do të përballen me Vllazninë në Kupë, aty ku synojnë të ruajnë trofeun por çka është më e rëndësishme, që nëpërmjet Kupës të arrijnë në Europë duke qenë se rruga nga kampionati është komplikuar disi dhe nëse nuk arrin në “Final 4”, atëherë fitimi i Kupës do të ishte zgjidhja e vetme për të shpëtuar sezonin që nisi me shumë pretendime, por që deri më tani ka qenë një sezon me shumë oshilacione, sidomos faza e tretë e kampionatit që përfundoi me vetëm 7 pikë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb