Dinamo u rikthye këtë fundjavë te fitorja duke mundur në derbi Tiranën me rezultatin 1-2. Kjo fitore, duket se ka sjellë qetësi në kampin dinamovit sa i përket rezultateve, megjithatë këtë javë e pret një tjetër ndeshje delikate, pasi “nëndetësja” do të përballet me Flamurtarin.
Kuqezinjtë, janë në një moment shumë të vështirë dhe kundër Dinamos, rezultati i vetëm që mund të ndryshojë sado pak situatën, është fitorja prandaj pritet që të jetë një duel i luftuar deri në sekondat e fundit nga të dyja skuadrat. Mund të duket ironi e fatit, por kur në fushë ka karton të kuq, Dinamo nuk di të fitojë e madje as të shënojë gol, për të qenë në lojë ndërkohë që e kundërta ndodh kur ndeshja përfundon me numër të barabartë futbollistësh, 11 kundër 11.
HISTORIKU- Dinamo ka fituar ndeshjen e parë të kampionatit kundër Vllaznisë, duke triumfuar me rezultatin 3-1 e madje duke bërë një paraqitje mjaft të mirë, e cila u diskutua për shumë ditë. Por, ndeshja ndaj Elbasanit kishte një tjetër fytyrë, aty ku skuadra e Dianmos u mund me rezultatin 1-0. Në përfundim të ndeshjes, dështimi iu faturua gjykimit për shkak të kartonit të kuq që mori Aliji në pjesën e parë, duke lënë skuadrën e tij me 10 lojtarë. Ndërkohë, ndaj Teutës, Dinamo kishte mundësi të shlyente gabimin që bëri ndaj Elbasanit e madje për një pjesë loje, skuadra blu luajti me një lojtar më shumë pasi Teuta u ndëshkua me të kuq.
“Nëndetësja”, jo vetëm që nuk përfitoi nga superioriteti numerik, por u mund me rezultatin 1-0, duke arkivuar në këtë mënyrë humbjen e dytë radhazi në kampionat. Pak ditë më parë, Dinamo kishte sfidën me Bylisin, aty ku sërish dështoi të fitonte dhe sërish në ndeshje kishte një karton të kuq, të cilin e mori Bylisi në pjesën e dytë. Dinamo u rikthye te fitorja vetëm pak ditë më parë në derbin ndaj Tiranës, aty ku të dyja skuadrat ishin me nga 11 futbollistë dhe askush nuk u ndëshkua me të kuqe, e madje shënoi 2 gola në këtë takim.
DEKLARATA E DAJËS- Pas ndeshjes ndaj Teutës, trajneri Ilir Daja pranoi në intervistën pas ndeshjes se kartoni i kuq që morën bregdetarët, ndikuan në lojën e skuadrës së tij pasi u ul ritmi i ndeshjes.
“Kur doli lojtari më karton të kuq, në vend të rritnim ritmin, ne bëmë sikur e fituam ndeshjen. Ndeshja ndonjëherë bëhet më e vështirë me një lojtar më shumë se kundërshtari zbret e duhet të ruash ekuilibrat që të mos të kapë në hapësira boshe. Nuk shtuam një marsh më shumë. Ishim në kushte të barabarta se kemi luajtur të dy ekipet të dielën. Kërkuam të ndryshonim në pjesën e dytë, krijuam volum, por në fund ne trajnerët duhet t’i çojmë në zonën e golit, pastaj është aftësia individuale për të shtyrë topin në rrjetë apo jo”, tha Daja.
