Diplomati holandez, që ka shërbyer si ambasador në Kosovë, Robert Bosch, ka propozuar tre emra për President të Kosovës, të cilët, sipas tij, do të ndihmonin të arrihej një kompromis mes LDK-së dhe Vetëvendosjes dhe do t’i hapte rrugë krijimit të qeverisë së re.

Bosch thotë se po përcjell nga afër zhvillimet e fundit në Kosovë, e për pikën ku LDK e VV s’po arrijnë të merren vesh, ish-ambasadori i Holandës ka disa propozime.

Emri i parë që Bosch ka propozuar është ai i ish-presidentit të Kosovës dhe ish-kreut të LDK-së, Fatmir Sejdiut.

“Fatmir Sejdiu mund të jetë një kompromis i mirë në postin e presidentit edhe pse ky funksion nuk është i lirë edhe për një kohë. Ai ka esperiencë, është i pavarur dhe nuk është i angazhuar në ndonjë parti”, ka shkruar diplomati tanimë në pension.

Ndërkaq ai si të denjë për pozitën e presidentit, që zgjidhet në vitin 2021, e sheh edhe publicistin Veton Surroi dhe ish-ambasadoren e Kosovës në Holandë, Vjosa Dobrunën.

“Dy të tjerë, që janë krejtësisht të pavarur, më shkuan në mend si kandidatë të shkëlqyer: Veton Surroi dhe Vjosa Dobruna. Të dy me përvojë në vend dhe ndërkombëtarisht. Ata do ta përmirësonin imazhin e vendit”, ka shkruar Bosch.

“Jam i sigurt se ka kandidatë të tjerë të përshtatshëm, por duke ndjekur lajmet në baza ditore, s’mund të qëndroja pa u përfshirë pak”, ka shkruar më tej ish-ambasadori i Holandës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb