Pak muaj para zgjedhjeve lokale Presidenti i Insitutit Liberal “Pashko”, Preç Zogaj thotë qeveria do të bëjë të pamundurën, duke përdorur edhe mjete të paligjshme për të arritur rezultatin që dëshiron. I ftuar në “Klan News”, përballë Mirela Milorit, Zogaj shprehet se qeveria do të përdorë të njëjtat metoda që ka përdorur në zgjedhjet e kaluara, me qëllim që të maksimizojë votat e saj.

“Gjithçka që po bën e po thotë në këtë fillim viti, përfshirë mbledhjet e zgjatura të qeverisë dhe bonuset kryeministri i ka në funksion të zgjedhjeve vendore. Vëmendja e PS vjen duket e shtuar, mobilizimi gjithashtu. Uroj të mos përdorin mjete të paligjshme. Por vështirë që njerëzit e Ramës t’i shpëtojnë blerjes së votave. Sidoqoftë, do të ndjekim zhvillimet”.

Sakaq, opozita nga ana e saj futet në zgjedhjet lokale me disa disavantazhe të mëdha, tha Zogaj.

“Së pari, për faj të saj nuk qeveris në asnjë Bashki, përveç Shkodrës. Së dyti, kjo opozitë po shkon në zgjedhjet vendore me një hartë të ndarjes territoriale që është kundër saj, të cilën nuk arriti ta ndryshonte. Së treti, është e përçarë; nuk ka qenë asnjëherë kaq e përçarë”, tha ai.

Në përgjigje të pyetjes a ka zgjidhje për opozitën, Zogaj tha se në vitin e dhjetë të qënies në opozitë qendra e djathtë duhet të ishte shumicë tani. Shumicë e fotografuar nga sondazhet, që shkon e sigurt drejt fitores. Për fat të keq nuk shohim të jetë kështu. Shohim të kundërtën: një opozitë të zvogëluar nga historitë që po përjeton prej një viti e gjysmë. “Mund të flasim e të flasim për zgjidhje”, tha ai. “Dhe mendja shkon menjëherë te fjala bashkim. Ka pasur nisma për bashkim të ndërmarra nga grupi i PD-së zyrtare. Këto nisma që nuk kanë gjetur përgjigije nga grupi i Rithemelimit, ku bashkimi kuptohet si asimilim i palës tjetër. Bashkimi fillon me njohjen e palëve si të ndryshme. Prej këtu edhe mund të ketë mbetur ndonjë shans për të dalë me kandidatë të përbashkët duke marrë për bazë , si kampion, rezultatin e zgjedhjeve te pjesshme të gjashtë marsit. Por edhe bashkimi nuk mjafton. Për të fituar opozitës i duhen më shumë zgjedhës se shumarja që kanë palët aktualisht. Në këtë kuptim, opozita duket te ndryshojë, të mos jetë kështu si është kjo që është; të reflektoje e jetësojë qarkullimin e elitave me qëllim që të rritet me zgjedhës të rinj që sot nuk i merr as Rama, as Berisha, as Meta. Këtu është rezerva e fitores së opozitës”, tha ai.

Megjithatë, një ditë pas zgjedhjeve më 15 maj, sistemi nuk pritet të ketë ndonjë ndryshim thelbësor, sipas Zogajt.

“Më 15 maj, një ditë pas zgjedhjeve, sistemi nuk paralajmëron ndonjë ndryshim, sepse janë të njëjtët aktorë. Shqipëria është në rrethin vicioz të një elite që nuk di të largohet”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: