Kremlini ka zbardhur detaje të reja nga telefonata e zhvilluar mes presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit amerikan Donald Trump, duke ofruar më shumë detaje mbi tematikat e diskutuara, mes të cilave spikasin lufta në Ukrainë, marrëdhëniet me Iranin dhe mundësia e një takimi me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

Sipas Yuri Ushakov, ndihmës i afërt i presidentit Putin, lideri rus i ka thënë Trump se bisedimet e fundit në Stamboll lidhur me çështjen ukrainase ishin “të dobishme”, ndërsa të dy ranë dakord që dialogu mes tyre të vazhdojë dhe të qëndrojnë në kontakt të rregullt.

Një tjetër pikë e përmendur ishte një sqarim nga ana e Trump, i cili i ka thënë Putinit se SHBA nuk ishin paralajmëruar nga Ukraina për sulmet e saj të fundit ndaj bazave ajrore ruse.

Ndërkohë, Ushakov sqaroi se “një takim mes presidentit rus dhe Volodymyr Zelenskyy nuk është marrë kurrë në konsideratë në terma praktikë”.

Në fund, të dy presidentët biseduan edhe për Iranin. Trump ka deklaruar se bashkëpunimi i Rusisë është “thelbësor” për çështjet që lidhen me Teheranin, duke nënvizuar se ruajtja e dialogut me Moskën mbetet e rëndësishme për stabilitetin ndërkombëtar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb