Forumi i Bledit në Slloveni, që këtë vit shënoi edicionin e 20-të, mblodhi liderë shtetesh nga Europa dhe zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian për të diskutuar mbi të ardhmen e unionit dhe rolin e vendeve kandidate. Mes të ftuarve ishte edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Në panelin për zgjerimin e BE-së, Rama deklaroi se Shqipëria po punon me përkushtim për të përmbushur objektivat e vendosura nga Komisioni Europian, me synimin për të mbyllur negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027.
“Ne nuk po themi që jemi gati për 2027, por kemi objektiva të qarta nga Komisioni që na sfidojnë të realizojmë kriteret dhe të përmbyllim negociatat. Po shtyjmë përpara pa bërë pyetje. Gjëja më e mirë me BE është të jesh i lirë kur flet në Bled, por pastaj të thuash ‘PO’”, tha Rama.
Nga ana tjetër, Presidenti i Komisionit Europian, Antonio Costa, theksoi se zgjerimi drejt Ballkanit Perëndimor është “investimi më i mirë për BE-në” dhe se ky moment duhet shfrytëzuar.
“Në vitet që vijnë duhet ta përgatisim BE për zgjerimin. Është investimi më i mirë që mund të bëjmë për të pajtuar vende dhe histori. Duhet të përfitojmë nga ky moment pozitiv, pasi plani i rritjes së BE për Ballkanin Perëndimor është potencialisht ndryshues loje”, u shpreh Costa.
Ndërkohë, Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, theksoi rëndësinë e reformave nga vendet kandidate, duke nënvizuar se “s’ka rrugë të shkurtra” në këtë proces.
“Vendet kandidate duhet të realizojnë reformat, të forcojnë shtetin e së drejtës dhe të garantojnë lirinë e medias, pasi këto janë të panegociueshme. Gjeopolitika ka ndryshuar dhe përballemi me forca të jashtme që duan të na shohin të dështojmë”, tha Kos.
