Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se është në një mendim me homologun amerikan Donald Trump se lufta në Ukrainë duhet të përfundojë. Deklarata erdhi pas një telefonate mes tyre, zhvilluar menjëherë pas takimit të dërguarit special amerikan, Steve Witkoff, me presidentin rus Vladimir Putin në Kremlin.
“Qëndrimi ynë i përbashkët me partnerët është i qartë: lufta duhet të marrë fund – dhe përfundimi duhet të jetë i drejtë,” tha Zelensky, duke shtuar se në bisedë morën pjesë edhe disa liderë evropianë, të cilët falënderoi për mbështetjen ndaj Ukrainës.
“Diskutuam për gjithçka që ndodhi në Moskë. Ukraina do të mbrojë patjetër pavarësinë e saj. Ne kemi nevojë për një paqe të qëndrueshme e të besueshme. Rusia duhet ta ndalë luftën që nisi vetë,” u shpreh ai.
Nga ana tjetër, Trump e përshkroi takimin Putin–Witkoff si “jashtëzakonisht produktiv”, duke njoftuar “përparim të madh” drejt paqes. Në një postim në Truth Social, ai konfirmoi se menjëherë pas takimit ka informuar edhe aleatët evropianë.
“Të gjithë janë dakord se kjo luftë duhet të përfundojë. Do të punojmë në këtë drejtim në ditët dhe javët që vijnë,” shkroi Trump.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë ka sinjalizuar se pavarësisht përparimit diplomatik, janë në prag të shpalljes sanksioneve të reja ndaj Rusisë, që mund të hyjnë në fuqi brenda pak ditësh.
