TIRANE- Qendra e vetme shëndetësore me shërbim të specializuar ambulator për të gjithë të sëmurët me probleme në mushkëri në Tiranë, është pajisur tashmë me një aparat të ri të radiografisë televizive, e cila do të rrisë ndjeshëm cilësinë ë shërbimit ndaj pacientëve. Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj zhvilloi sot një takim në këtë qendër shëndetësore, ku u takua me mjekë, infermierë e punonjës të këtij institucioni, si dhe qytetarë që marrin shërbimin shëndetësor në këtë qendër.

“Ky është një investim i rëndësishëm për këtë Qendër Shëndetësore, me një vlerë prej 5 milion lekësh të reja për blerjen e pajisjes së aparatit të Radiografisë,” tha Beqaj. “Aparati i radiografisë ishte një pajisje e vjetër e cila bënte ekzaminimet të një cilësie shumë të dobët. Tashmë kemi këtë pajisje shumë më të re, mjekët u shërbejnë shumë më mirë dhe shumë më shpejt pacientëve, reduktojmë flukset për në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, dhe sigurisht, angazhimet e marra për të ofruar shërbim pa pagesë”, shtoi ai.

Nga ana e saj, drejtuesja e kësaj qendre, Dr. Entela Nako, u shpreh se kjo pajisje do ta rrisë ndjeshëm cilësinë e shërbimit ndaj pacientëve. “Nëse deri më dje do të paguanin 2000 lekë, me tarifat e reja këta pacientë do të paguajnë vetëm 100 lekë, sigurisht duke zbatuar sistemin e referimit. Edhe pagesa për ekzaminimin radiologjik ka pësuar ulje në 100 lekë nga 500 që ka qenë më parë”, nënvizoi ajo. Numri i pacientëve që marrin shërbimin shëndetësor në Qendrën Shëndetësore nr. 4, ose sic njihet ndryshe, Dispanceria, është rritur shumë, duke shkuar në rreth 35 mijë ekzaminime në vit.

(ed.me/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb