TIRANE- Kryeopozitari Lulzim Basha ka drekuar për më shumë se një orë me disa prej ambasadorëve të Bashkimit Europian, përkatësisht Mbretërisë së Bashkuar, Italisë, Danimarkës dhe Greqisë në një restorant në qendër të Tiranës, ndërsa në fokus të takimit, siç sqaroi edhe ai ka qënë situata politike e vendit.

Po ashtu temë diskutimi me ambasadorët ishte edhe shqetësimi për të mbajtur zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Ne jemi në bashkëbisedim të vazhdueshëm me partnerët, aleatët tanë europianë dhe amerikanë. Ky ishte një takim, një drekë pune në kuadrin e bashkëbisedimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe të frytshëm të opozitës së bashkuar me aleatët dhe partnerët tanë europianë. Diskutuam zhvillimet politike dhe rrugëdaljen nga kriza politike ku e ka futur vendin pamundësia e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme me një qeveri të bërë njësh me krimin dhe drogën.

Ky takim vjen në ditën e 24 të protestës së opozitës, e cila prej 18 shkurtit kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Po sot Rama bëri publike dhe emrat e 4 ministrave të rinj, pas shkarkimit të Saimir Tahirit nga Ministria e Brendshme, Blendi Klosit, Ilir Beqajt dhe Bledi Çuçit.

BASHA
Një javë më parë lideri i opozitës drekoi dhe me ambasadorin e SHBA-ve në Tiranë, Donald Lu. Ndonëse ndërkombëtarët i kanë bërë thirrje opozitës që të ndërpresë bojkotin dhe t’i bashkohet diskutimeve në Kuvend, kjo e fundit nuk ka pranuar, ndërsa vijon kauzën e saj, duke kërkuar dorëheqjen e Ramës dhe krijimin e një qeverie teknike.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: