Një zyrtar i Hamasit konfirmoi të shtunën se kërkesa që lëvizja të çarmatoset, e cila përfshihet në planin e Presidentit të SHBA-së Donald Trump për Gazën, është “jashtë diskutimit”.
Zyrtari, i cili kërkoi të mos identifikohej, i tha AFP-së se “çështja e dorëzimit të armëve është jashtë diskutimit dhe as nuk është në tryezë”. Deklaratat erdhën në ditën e dytë të një armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit.
Në të njëjtën kohë, informacioni i cituar nga BBC tregon se organizata palestineze ka tërhequr rreth 7,000 anëtarë të forcave të saj të sigurisë në mënyrë që të rimarrë kontrollin mbi zonat e Gazës që trupat izraelite i kanë braktisur së fundmi, sipas burimeve lokale. Hamasi gjithashtu emëroi pesë guvernatorë të rinj, të gjithë me përvojë ushtarake, disa prej të cilëve më parë kishin komanduar brigada të krahut të saj të armatosur.
Burimet raportojnë se urdhri i mobilizimit u dha përmes telefonatave dhe mesazheve, të cilat deklaruan se qëllimi është “pastrimi i Gazës nga kriminelët dhe bashkëpunëtorët e Izraelit”, me detyrimin e luftëtarëve të paraqiten brenda 24 orëve.
Pse grupet e armatosura dolën në rrugët e Gazës?
Raportet nga Gaza tregojnë se njësi të armatosura të Hamasit janë vendosur tashmë në disa lagje – disa të veshura me rroba civile, të tjera me uniformat blu të policisë së Gazës. Tensionet janë rritur ndjeshëm pasi dy anëtarë të forcave elitare të Hamasit u vranë nga persona të armatosur nga fraksioni i fuqishëm Dughmush në lagjen Sabra të qytetit të Gazës. Një nga të vdekurit ishte djali i Imad Akel, një komandant i lartë në krahun e armatosur i cili tani drejton shërbimin e inteligjencës ushtarake të Hamasit. Trupat e dy burrave u lanë në rrugë, duke shkaktuar zemërim dhe frikë nga një përgjigje e madhe e armatosur nga Hamasi. Më vonë, persona të armatosur të Hamasit rrethuan një zonë ku besohet se ishin fshehur më shumë se 300 luftëtarë nga fraksioni Dughmush, të armatosur me mitralozë dhe pajisje shpërthyese të improvizuara. Të shtunën në mëngjes, Hamasi vrau një anëtar të fraksionit dhe thuhet se rrëmbeu rreth 30 të tjerë.
Lufta për kontrollin e Gazës së pasluftës
Mobilizimi i Hamasit ishte kryesisht i pritshëm, pasi ka pasiguri se kush do ta qeverisë Gazën pas përfundimit të luftës – një çështje kritike që mund të ndërlikojë fazën e dytë të planit të paqes të Donald Trump, i cili bën thirrje për çarmatimin e organizatës.
Një zyrtar i Hamasit jashtë vendit, duke folur për BBC- në, refuzoi të komentonte menjëherë mbi raportet për një grumbullim masiv forcash, por tha: “Ne nuk mund ta lëmë Gazën në mëshirën e banditëve dhe milicive të mbështetura nga pushtimi izraelit. Armët tona janë të ligjshme… për t’i rezistuar pushtimit, dhe ato do të mbeten për sa kohë që pushtimi vazhdon.”
