TIRANË

Kryeministri Edi Rama ka dalë bashkë me ambasadorin e BE-së në vend Luigi Soreca në një deklaratë për mediat me rastin e Ditës së Europës. Rama tha se sot dita e Europës, na gjen një situatë tejet të jashtëzakonshme që na pamundëson ritualet e zakonshme në kremtimin e kësaj dite të veçantë duke falënderuar udhëheqësit e BE-së për mbështetjen ndaj Ballkanit Perëndimor dhe Shqipërisë.

Ai tha se ndihma do të vijojë nga buxheti europian në gjysmën e dytë të vitit 2020.

Po kështu, Rama zbardhi diskutimet me presidentin e komisionit europian, me komisionerin e zgjerimit me presidentin e këshillit për të përfshirë dhe BQE në këtë ndihmë përmes një ndërveprimi përmes BSH dhe bankave kombëtare të rajonit dhe Bankës Europiane për të lehtësuar në mënyrë të ndjeshme të gjithë procesin që ka të bëjë me financimin e ekonomisë.

PJESË NGA DEKLARATA E RAMËS

Faleminderit për mundësinë që këtu në Shtëpinë e Europës të mund të japim së bashku një mesazh përshëndetës dhe kuptimplotë për të gjithë qytetarët shqiptarë. Para dy ditësh patëm një shkëmbim të rëndësishëm me udhëheqësit e BE dhe të rajonit në formatin e kësaj situate përmes platformës dixhitale të samitit të parashikuar të Zagrebit nën presidencën kroate. Ishte një takim në distancë në shumë përmbajtje dhe mbi të gjithë me një ndjesi të fortë afrimi dhe angazhimi të të gjithëve për të përballuar jo vetëm situatën e krijuar nga armiku i padukshëm siç quhet botërisht por edhe për të reflektuar për shumëçka që duhet çuar më tej dhe duhet bërë më mirë bashkërisht. Natyrisht që në këtë kontekst nuk mundet që përveçse të rishprehet në mënyrë të vazhdueshme mirënjohja për miqtë tanë në Bruksel, në të gjitha kryeqytetet e BE-së dhe në radhë të parë për miqtë e delegacionit këtu në Tiranë, që u gjendën përsëri pranë nesh pas tragjedisë së 26 nëntorit dhe konferencës së jashtëzakonshme dhe të suksesshme të donatorëve në Bruksel edhe në këtë situatë. Ambasadori e tha dhe unë dua ta përsëris që siç doli qartë në samitin e pardjeshëm mbështetja e institucioneve europiane do të vazhdojë për të gjitha vendet dhe do të përfshijë dhe Ballkanin Perëndimor dhe Shqipërinë pavarësisht se nuk janë ende pjesë e familjes europiane në sensin e integrimit në BE, por janë pjesë e familjes europiane në sensin e ndërveprimit dhe qasjes në këtë luftë të përbashkët që ka goditur të gjitha ekonomitë duke na vënë në vështirësi të jashtëzakonshme. Ndihmës së angazhuar deri tani të BE-së për të përballuar situatën e kësaj lufte të përbashkët me një armik të padukshëm do i shtohet edhe më tej në vazhdim ndihma nga buxheti europian në gjysmën e dytë të vitit 2020. Pas disa diskutimeve me presidentin e komisionit, me komisionerin e zgjerimin me presidentin e këshillit për të përfshirë dhe BQE në këtë ndihmë përmes një ndërveprimi përmes BSH dhe bankave kombëtare të rajonit dhe Bankës Europiane për të lehtësuar në mënyrë të ndjeshme të gjithë procesin që ka të bëjë me financimin e ekonomisë, me financimin e vendeve në kushtet kur vende si të tonat që janë jashtë BE- e kanë të vështirë daljen në tregjet e kapitaleve dhe të balancojnë goditjen që ka marrë ekonomia.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: