Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur urimet e saj për Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë, duke theksuar lidhjen e veçantë mes dy vendeve dhe duke e cilësuar popullin e Kosovës si “popullin më pro-amerikan në botë”.
Në një postim në Facebook, Osmani ka ndarë një video që përmban një pjesë të fjalimit të saj të mbajtur gjatë ceremonisë së organizuar nga Ambasada Amerikane në Prishtinë. Kjo, me rastin e kësaj dite të rëndësishme për popullin amerikan.
Pjesë të shkëputura nga fjalimi i presidentes Vjosa Osmani:
Një gjë është e padiskutueshme për të gjithë qytetarët e Kosovës:
Ne i njohim miqtë tanë të vërtetë.
Ne e dimë se kush qëndroi pranë nesh në momentet më të vështira – dhe këtë nuk do ta harrojmë kurrë.
Populli amerikan ka qenë krah nesh në çdo hap të rrugës – jo vetëm para 26 vitesh, kur udhëheqësia amerikane na ndihmoi të fitojmë lirinë që na ishte mohuar për shekuj me radhë, por edhe gjatë çdo viti që nga ajo kohë.
Qoftë përmes mbështetjes në ndërtimin e paqes, forcimit të institucioneve, zhvillimit ekonomik apo përmes përkrahjes strategjike në mbrojtje dhe diplomaci –
Çdo faqe e historisë sonë të re mban gjurmën dhe përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.