Drejtuesi politik i PD për qarkun e Tiranës, deputeti Belind Këlliçi i ka bërë apel të rinjve që në ditën e Rinisë më 8 dhjetor, t’i bashkohen Foltores që do të mbahet në ora 18:00 para kryeministrisë.

Këlliçi shkruan në një postim në rrjetin social facebook, se 8 Dhjetori nuk është vetëm një datë historike, por simboli i përgjegjësisë së brezit të ri për të mos pranuar status quo-në, për të mos braktisur atdheun, dhe për t’u përballur me sfidat që po e pengojnë zhvillimin dhe lirinë e tyre.

Reagimi i deputetit të PD, Belind Këlliçi

Të hënën më 8 Dhjetor, në orën 18:00, të gjithë në shesh në Ditën e Rinisë ✌🏻

8 Dhjetori, si Dita e Rinisë dhe simboli i Lëvizjes Studentore, është mishërimi i një gjysmë shekulli uri të rinisë dhe popullit shqiptar për liri, për dije, për dinjitet.

Pavarësisht se simbolikat ndryshojnë me kohën, kauza e madhe vijon të jetë aktuale edhe në kontekstin ku jetojmë.

Shqiptarët ende aspirojnë të jetojnë në një shtet të lirë, demokratik, të begatë dhe të modernizuar.

Rinia shqiptare i ka të gjitha potencialet për ta aktualizuar këtë liri.

Askush më mirë se të rinjtë nuk e ndjen pengimin e aftësive, stanjacionin ekonomik, frustrimin e potencialit të tyre të jashtëzakonshëm. Pavarësisht propagandës, të rinjtë nuk janë apatikë apo indiferentë.

Ata shohin dhe kuptojnë gjithçka, përfshirë dhe faktin se janë lënë qëllimshëm larg vendimmarrjes, barazisë në meritë me qëllimin e vetëm patronazhimin e shoqërisë në çdo qelizë.

Në të njëjtën kohë, është në dorën e të rinjve të vetëdijësohen për situatën kritike që vendi po kalon.

Të keqes mos t’i përgjigjemi me ikje, por me përballje.

Me të gjitha energjitë e tyre, kreativitetin, forcën e mendimit, rinia duhet të realizojë me çdo e mos sot, kushtet për të ardhmen që dëshiron nesër.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb