Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, në Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit, se Shqipëria tregoi me afganët se madhësia e shpirtit nuk matet nga madhësia gjeografike apo ekonomike.

I pranishëm në ceremoninë e 10-vjetorit të nismës vullnetare “Fundjavë Ndryshe”, Rama tha se vendi ynë i hapi dyert afganëve, kur të tjerët i mbyllën.

“Bamirësia nuk është një gjest, as një ngjarje. Është disiplinë”, u shpreh ai, duke shtuar se bujaria e vërtetë nuk lidhet me dhënien e asaj që të tepron, por me vullnetin për t’u hapur ndaj tjetrit dhe për ta parë si pasqyrë të vetes.

Në vijim, Rama solli në vëmendje një ndër sfidat e kohëve të fundit, si rasti i strehimit të qytetarëve afganë, duke theksuar se Shqipëria zgjodhi të vepronte me humanizëm në një moment kur shumë vende të tjera nuk e morën atë hap. Ai tha se vendi ynë tregoi se madhësia e shpirtit nuk matet nga madhësia gjeografike apo ekonomike, por nga gatishmëria për të ndihmuar.

“Ishte një moment kur Amerika i la pas, duke tërhequr me vete gjithë NATO-n. Të gjithë ata të cilët i kishte nxjerrë nga errësira me një premtim të madh, me premtimin se me ardhjen e Amerikës dhe NATO-s në Afganistan gjithçka do të ndryshonte në jetën e tyre.

Dhe përnjëherë, sa hap e mbyll sytë, gjithçka mbaroi për ata njerëz. Aty unë kam parë një Amerikë tjetër. Kam kuptuar forcën e jashtëzakonshme të atij vendi, kur njerëz nga më të ndryshmit, që në jetën e tyre të përditshme jetojnë në kampe të ndryshme, siç jeni ju këtu sot, u bënë bashkë. Dhe vinin telefonata të çuditshme, kërkonin ndihmë, kërkonin ndihmë këtu nga Shqipëria, sepse ne u bëmë i vetmi vend që hapi dyert për afganët, të cilët, për ta thënë deri në fund, ishin shumë myslimanë për të qenë të mirëpritur në shumë vende të tjera të NATO-s, ose nuk ishin aq barrë sa duhej.

Ndërkohë që ne e bëmë këtë akt dhe shumë të tjerë u përfshinë bashkë me shtetin, pikërisht për atë që thashë më parë, sepse tek ata që papritur e kuptuan se kishin mbetur në mëshirën e një turme vrasësish, ne pamë pasqyrën ku reflektohej shpirti ynë. Dhe shpirti ynë, pavarësisht se jemi ndër vendet më të vogla dhe më pak të pasura të NATO-s, nuk mund të ishte më i vogël se shpirti i atyre që mund të jenë më të pasur e më të mëdhenj se ne”, deklaroi Rama.

Kryeministri vlerësoi rolin e Fondacionit “Fundjavë Ndryshe”, duke e cilësuar si një institucion moral të shoqërisë shqiptare që ka ngritur “zakonet e zemrës” dhe ka krijuar një kulturë të re solidariteti, ku shpresa dhe bamirësia ecin dorë për dore dhe ndikojnë në të gjitha dimensionet e jetës komunitare.

Rama theksoi rëndësinë e vazhdimësisë së kësaj nisme, duke shprehur vlerësim të veçantë për themeluesin e saj, Arbër Hajdari, dhe për të gjithë vullnetarët që prej 10 vitesh kontribuojnë pa rezervë.

“‘Fundjava Ndryshe’ është një palestër e shpresës dhe një trajner i disiplinës së bamirësisë”, tha ai, duke nënvizuar se vetëm përmes stërvitjes së shpresës dhe disiplinës së bamirësisë shoqëria mund të ndërtojë mirësi të qëndrueshme dhe besim në të ardhmen.

 

 

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb