Ambasada e SHBA në Tiranë i ka kushtuar një reagim Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, duke u shprehur në nderim të gjashtë milionë viktimave hebreje të tij.
Ambasada rikujtoi deklaratën e Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, i cili është shprehur se “Antisemitizmi nuk ka vend në këtë botë”.
“Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për t’u përballur me antisemitizmin dhe shtrembërimin e Holokaustit. Ne e njohim historinë e veçantë të Shqipërisë si një nga të paktat vende të pushtuara nga nazistët ku hebrenjtë gjetën strehim, falë guximit të shqiptarëve të zakonshëm. Ne mirëpresim partneritetin e vazhdueshëm të Shqipërisë në luftën kundër antisemitizmit, siç është miratimi i saj vitin e kaluar i Praktikave më të Mira për Parimet e Konferencës së Uashingtonit mbi Artin e Konfiskuar nga Nazistët, të cilat çojnë përpara drejtësinë dhe kompensimin për pronën kulturore të periudhës së Holokaustit”, vijon reagimi i ambasadës.
