Nga: Erjon Skëndaj*

Qindra qytetarë të Tiranës i janë përgjigjur thirrjes së Kryqit të Kuq Shqiptar për të dhuruar gjak për 600 fëmijët shqiptarë me Talasemi. Nismës humanitare në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Talasemisë i janë bashkuar edhe të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike si dhe aktivistë të Kishës Ringjallja. Por pavarësisht fushatave sensibilizuese Shqipëria renditet e fundit në Europë sa i përket dhuruesve vullnetarë të gjakut që mundësojnë vetëm një të tretën e nevojës për gjak që kanë fëmijët talasemikë.

Skerdilajd Faria është një ndër shqipëtarët e njohur në Itali ku punon prej vitesh si mjek anestezist. Krahas profesionit ai është edhe një aktivist i njohur në sensibilizimin e qytetarëve për të dhuruar gjak duke ofruar falas edhe klinikën e tij në Tiranë.

Në Ditën Ndërkombëtare kundër Talasemisë një mesazh zemre kanë dhënë edhe të rinjtë e forumit demokrat.
Në ndihmë të fëmijëve të sëmurë me talasemi dhuruan gjak edhe aktivist të Kishës Ringjallja. Aktivitete të ngjashme në Tiranë u organizuan edhe nga aktivist të shoqërisë civile me mbështetjen edhe të bashkisë Tiranë.

Asnjë fëmijë i lindur nuk është i mbrojtur nga sëmundja e Talasemisë nëse prindërit që e sjellin në jetë janë bartës të saj. Një pakujdesi apo neglizhencë që tregon nëna gjatë shtatëzanisë duke mos iu nënshtruar analizave të gjakut bën që sëmundja të trashëgohet tek fëmija i saj. Në Shqipëri ky gabim është bërë në më shumë se 600 raste dhe për këtë arësye sot kemi 600 fëmijë talasemikë që kanë nevojë jetike për transfuzion të rruazave të kuqe një herë në 10 ditë, pasi në të kundërt jeta e tyre vihet në rrezik. Për të garantuar sasinë e nevojshmë të gjakut Kryqi i Kuq Shqiptar ka vite që bën fushata sensibilizuese për të ndërgjegjësuar qytetarët, por pavërsisht kësaj Shqipëria regjistron numrin më të ulët të dhuruesve në Europë. Në total numërohen 7 mijë dhurues në vit që mbulojnë 25 përqind të nevojave për gjak që kanë fëmijët talasemikë.

Shpërndarja e bartësve të talasemisë është heterogjene dhe frekuenca më e lartë takohet në zonat e ultësirës perëndimore, Lushnje 7.3 për qind, Berat 7.04 për qind, Fier 9.96 për qind, Sarandë 7.92 për qind ndërkohë që numri i përvitshëm i rasteve të reja me talasemi llogaritet në 14.

Po çfarë është Talasemia dhe si mund të parandalohet ajo?

Talasemia nuk është një, por disa sëmundje trashgimetare të gjakut që shkaktohen nga një defekt gjenetik i sintezes se hemoglobines, që s’është tjetër veçse një proteinë e rruazave të kuqe të gjakut. Një ose më shumë defekte në hallkat e këtij zinxhiri shkaktojnë lloje të ndryshme talasemie, në mënyrë të veçantë alfa-talasemitë dhe beta-talasemitë.

Sipas mjekëve, të dhurosh gjak nuk ka asnjë pasojë për shëndetin e dhuruesit, përkundrazi dhurimi i gjakut një herë në katër muaj është edhe një mjet i shkëlqyer parandalimi për shëndetin e dhuruesit, të cilit i bëhen falas analizat e vizitat e kontrollit ndërsa gjaku i tij përtërihet plotësisht.

Shërimi nga Talasemia sot është i mundur nëpërmjet transplantit të palcës së shtyllës kurrizore, por është e domosdoshme të gjendet një dhurues i të njejtit grup me atë të të sëmurit talasemik në mënyrë që të evitohet papajtueshmëria.

Në Shqipëri mungon një depistim i gjerë i popullatës së rritur për të parandaluar lidhjen në çift të personave bartës të Talasemisë, ekzaminim ky që do të parandalonte përhapjen në linjë vertikale të sëmundjes.

(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: