Duke sjellë në vëmendje luftën në Ukrainë dhe duke kujtuar udhëtimin e Shqipërisë drejt Brukselit, Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, dha një mesazh të qartë mbi marrëdhënien e shoqërisë shqiptare me të shkuarën dhe angazhimit që duhet të ketë politika shqiptare.
“E shkuara formëson të ardhmen e identitetin tonë, ndaj është e rëndësishme të merremi me të shkuarën.

Bashkimi Europian u krijua pas Luftës së Dytë Botërore, pra BE është projekt paqeje. Drejtësia e llogaridhënia janë të rëndësishme për shërimin e shoqërisë dhe një demokraci rezistente dhe vendin e Shqipërisë në BE. Por politikanët duhet të bëjnë punën e tyre, nuk duhet të punojë vetëm shoqëria civile. Politikanët duhet të sigurohen që të ketë një kuadër të duhur ligjor, dhe burime dhe një vullnet politik. Ne ndihmojmë për të zhdukurit dhe duhet shumë punë që familjet të mësojnë se çfarë u ka ndodhur të afërmve të tyre”, tha Silvio Gonzato.

Në vijim, organizatorja e Ditëve të Kujtesës, Jonila Godole nga IDMC, kujtoi se debatet që nxiten nga konferencat shkencore sjellin dialog në shoqëri.
“Këtë vit, besoj se debati do të hapet nga botimi për herë të parë i vendimeve gjyqësore ndaj udhëheqjes komuniste në vitet 1993-1996, të cilat kanë hyrë në kujtesën tonë kolektive si gjyqet e kafeve. Botimi synon të njohë opinionin publik me përpjekjet për lustracion dhe drejtësi në vitet 90”, tha Godole.

95-vjeçari Lekë Tasi, një ish violonçelist dhe piktor që përfundoi i internuar në Lushnjë e sheh shqetësuese mungesën e vëmendjes dhe botimin e dëshmive mbi të shkuarën.
“Një neglizhencë e pajustifikuar dhe e padrejtë, ndofta dhe qëllimisht. Eksperienca historike e dokumentuar tregon se lufta, nuk ka pushuar asnjëherë”.
Me praninë e Ambasadorit Gjerman, ambasadores zë Zvicrës, atij të Austrisë dhe ish të përndjekurve politikë, “Ditët e kujtesës” vijuan me shfaqjen e një dokumentari për Stalinin ndërsa deri më 26 shkurt, promovime, filma, debate dhe performanca do të sjellin në vëmendje, ngjarje e personazhe të historisë së trishtë të Shqipërisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb