Për herë të parë që nga dita që zbarkoi në Angli, Ruben Amorim bën dy fitore radhazi në stolin e Man.United, këtë e arrin përballë Liverpool duke “zhytur” në krizë totale të kuqtë. Ekipi i Slot po përjeton makthe këtë sezon, kjo ishte humbja e katër radhazi.

Mbeumo befasoi Liverpool që në start, ku në aksionin e parë pas vetëm 2 minuta lojë brenda në zonë me një goditje të fortë kaloi “djajtë e kuq” në avantazh. Liverpool reagoi, por goditja e Gakpo në minutën e 21-të u përplas në shtyllën pingule. Më në fund pas disa përpjekjeve, Gakpo u tregua i saktë duke barazuar shifrat në minutën e 78-të. United nuk u dorëzua dhe në minutën e 84-ët pas një aksioni të gjatë, Harry Maguiere me kokë dërgoi topin në rrjetë duke i dhuruar United një fitore të madhe brenda në “Anfeild”. Me këtë fitore, United ngjitet në vendin e 9-të në kuotën e 13 pikëve, ndërsa Liverpool zbret në vendin e tretë në kuotën e 15 pikëve, 4 më pak se Arsenali kryesues.

Nuk e fshehu gëzimin për këtë fitore trajneri i Man.United, Ruben Amorim: “Jam me të vërtetë i lumtur për lojtarët, treguan një shpirt të madh. Duhet të luajmë më mirë me topin, por shpirti i ekipit është i duhuri, është ajo që kërkojmë. Ishte një ndeshje e bukur për tifozët, por tani duhet të përqendrohemi te sfida e radhës. Dy fitore radhazi pas një kohë kaq të gjatë është me të vërtetë e rëndësishme”, u shpreh Amorim.

Situata në shtëpinë e Liverpool pas kësaj humbje është jo e mirë, por trajneri Slot beson se ekipi mund të dal nga kriza: “Sigurisht që shqetësimi është i dukshëm. Nëse humbet katër ndeshje radhazi duhet të jesh i shqetësuar, por ne jemi të vetëdijshëm se nëse vazhdojmë me këto paraqitje, duke krijuar raste, kemi shanse për t’u rikthyer te fitorja”, u shpreh Arne Slot.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb